Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka vijuar denoncimin për ndërtimin në Parkun Rinia, duke iu përgjigjur në një video në rrjetet sociale pyetjeve dhe komenteve të qytetarëve. Ajo thekson se kundërshtimi i saj lidhet me mbrojtjen e hapësirave publike dhe me mënyrën se si pronat publike po vihen në shërbim të interesave të ndërtimit.
Sipas saj, vendimmarrjet e Korporatës së Investimeve po orientohen drejt dhënies së trojeve publike për ndërtim.
Deputetja ngre pikëpyetje mbi mënyrën e marrjes së pronës dhe përgjegjësinë e kryeministrit Rama. Sipas saj, leja e ndërtimit i shërben ngritjes së një kulle për pakicën, ndërsa qytetarët humbasin një hapësirë të gjelbër në zemër të kryeqytetit.
“Ka pasur shumë pyetje dhe komente për denoncimin e ndërtimit te Parku Rinia.
E para: “A ke denoncuar raste të tjera të ngjashme? Te Pallati i Kongreseve? Te parku i Pallatit të Kulturës?” I njëjti parim vlen edhe aty. Sidomos kur bëhet fjalë për Korporatën e Investimeve, kam denoncuar çdo vendimmarrje të saj, përfshirë edhe përmes interpelancës në Parlament, me një parim të thjeshtë: Korporata e Investimeve është kthyer në një kompani ndërtimi. Nuk ka asnjë vendim që lidhet me një projekt publik në shërbim të qytetarëve. Trojet publike po jepen për ndërtim dhe unë besoj se ka shumë vend për të denoncuar aty.
Së dyti: “A je kundër zhvillimit?”
Në fakt, në çdo rast jam pro zhvillimit. Jam pro zhvillimit edhe kur bëhet fjalë për pronarët tradicionalë, të vjetër të Tiranës. Parku Rinia, këtu ku jemi, është pronë tradicionale e familjes Mulleti, e cila ia ka dhënë qytetit të Tiranës, në shërbim të qytetarëve, për një park që në kohën e planit italian. Ndërkohë, leja e ndërtimit këtu, përveç shumë pikëpyetjeve që ka për marrjen e kësaj prone nga ish-kryetari i bashkisë, sot kryeministër, po i merr frymën edhe mushkërisë së vetme që ka mbetur këtu në Tiranë.
Ky, nga një park i qytetarëve, do të kthehet në një kullë të pakicës. Këtu nuk bëhet fjalë për një vendim për një park që do të jetë në shërbim të komunitetit dhe të qytetarëve. Këtu bëhet fjalë për një kullë që do të heqë mushkërinë e fundit të qytetit të Tiranës.
Për çdo pyetje tjetër, jam gjithmonë e hapur. Për çdo shqetësim qytetar, sidomos për Tiranën, për Tironën tonë!”, përfundon deputetja.
-
Si nuk e mbylli ate h....kjo zonja na afro ndonje gje me te mire moj e uruar Jo vetem bezine zjarrit.ARSONISTE
Përgjigju











Komente
Komento