Balluku në Kuvend për të votuar Hartën Territoriale/ Reagon Gazment Bardhi: 32 ditë pritje për drejtësi! E akuzuara për 14 vepra penale merr vendime që ndikojnë jetën e qytetarëve

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar për hetimet penale ndaj Belinda Ballukut, duke e cilësuar ditën e sotme si ditën e 32-të të pritjes për drejtësi.

Në reagimin e tij, Bardhi thekson se është e papranueshme që një person i akuzuar për 14 vepra penale të vijojë të jetë i lirë dhe të ushtrojë funksione publike.

Të lidhura

None found

Bardhi nënvizon gjithashtu se drejtësia nuk duhet të presë sinjale politike dhe as të kushtëzohet nga vullneti i kryeministrit, por duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe me standarde të njëjta për të gjithë.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

DITA 32 – Drejtësi pa vonesa!

Është e papranueshme që një person i akuzuar për 14 vepra penale — 2 akuza për korrupsion, 2 për pastrim parash, 2 për fshehje pasurie dhe 8 për shkelje të barazisë në tendera — të vazhdojë të jetë i lirë dhe të ushtrojë funksione publike, duke marrë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Mosveprimi dhe zvarritja në çështjen e Belinda Ballukut ngrenë pikëpyetje serioze mbi zbatimin e barabartë të ligjit dhe forcojnë perceptimin se në Shqipëri, për njerëzit me pushtet ose të mbrojtur nga pushteti, drejtësia ecën me një ritëm tjetër.

Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Pa përjashtime. Pa privilegje. Pa standarde të dyfishta.

SPAK duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa vonesa të pajustifikuara, në përputhje me ligjin. Akuzat penale janë serioze dhe kërkojnë përgjigje institucionale, jo heshtje apo zvarritje.

Drejtësia nuk mund të presë sinjale politike dhe as të kushtëzohet nga vullneti i Kryeministrit. Ajo duhet të veprojë e pavarur, me integritet dhe me të njëjtin standard për këdo.

Dita e 32-të e pritjes është një tjetër ditë ku kërkohet përgjegjësi. Askush nuk është mbi ligjin. Askush nuk duhet të jetë i paprekshëm. Drejtësia duhet të veprojë!


Shtuar më 11.10.2026 14:38

Quantcast