Një tragjedi e përmasave të mëdha është regjistruar në ujërat mes Xhibutit dhe Jemenit, ku të paktën 109 emigrantë, përfshirë 15 fëmijë, kanë humbur jetën dhe më shumë se 116 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas mbytjes së një anijeje të mbingarkuar.
Lajmi i rëndë u konfirmua këtë të diel nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e cila bëri me dije detajet tronditëse bazuar në dëshmitë e drejtpërdrejta të të mbijetuarve të nxjerrë nga uji.
Sipas të dhënave zyrtare të IOM-it, mjeti lundrues transportonte rreth 350 persona kur u përmbys gjatë orëve të natës mes 8 dhe 9 tetorit, pranë zonës së Guherës, në veri të qytetit portual të Obokut në Xhibuti.
Deri më tani është bërë e mundur shpëtimi i më shumë se 80 personave, të cilët sipas raportimeve të organizatës janë të gjithë shtetas etiopianë që po tentonin të kalonin drejt Gadishullit Arabik.













