EMRI/ Vrau 3 persona në Shkodër, arrestohet në SHBA pas 25 vitesh në kërkim

EMRI/ Vrau 3 persona në Shkodër, arrestohet në SHBA pas 25 vitesh në kërkim

14:43, 11/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Valentin Ftoni, 52 vjeç, i dënuar dy herë me nga 25 vite burg për vrasjen e tre personave në Shkodër, është arrestuar në Nju-Jork pas më shumë se dy dekadash në kërkim ndërkombëtar.

Arrestimi u bë falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe agjencive federale amerikane, pas një hetimi që nisi në gusht të këtij viti, kur Interpol Tirana ndau informacion me autoritetet amerikane.

Kronologjia e ngjarjeve dhe viktimat

19 shtator 2000 – Vriten bashkëshortët Gjelosh dhe Ardiana Markaj

Në fshatin Ças të Velipojës u vranë bashkëshortët Gjelosh dhe Ardiana Markaj. Sipas vendimit gjyqësor, vrasja u krye për motive gjakmarrjeje.

Për këtë ngjarje, më 28 shtator 2001, Gjykata e Shkodrës e dënoi Valentin Ftonin me 25 vite burg për vrasje me paramendim, të kryer në bashkëpunim, si dhe për armëmbajtje pa leje.

12 gusht 2001 – Vritet Tom Gaci

Ftoni u dënua për herë të dytë nga Gjykata e Shkodrës më 18 nëntor 2008, me 25 vite burg për vrasjen e Tom Gacit dhe armëmbajtjen pa leje.

Përveç këtyre dy çështjeve, ai është gjykuar edhe për vrasjen e Behar Becit, ngjarje e ndodhur në vitin 2001, por për këtë akuzë është shpallur i pafajshëm.

Nga Shqipëria drejt SHBA-së

Image

Pavarësisht se ishte shpallur në kërkim, Ftoni arriti të largohej nga Shqipëria. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se përdori dokumente të falsifikuara dhe disa identitete të rreme për të hyrë e qëndruar në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Shërbimit të Marshallëve Amerikanë, hetimi për lokalizimin e tij nisi në gusht 2026, pasi Interpol Tirana ndau informacion me autoritetet amerikane. Hetuesit arritën në përfundimin se 52-vjeçari fshihej në zonën metropolitane të Nju-Jorkut, duke përdorur identitete të rreme.

Më pas, çështja iu kalua grupit të posaçëm Homeland Security Task Force në Nju-Jork, i cili arriti të lokalizonte vendndodhjen e tij dhe organizoi arrestimin.

Dyshime për një tjetër vrasje

Sipas njoftimit të autoriteteve amerikane, Shqipëria e kërkon Ftonin edhe në lidhje me një tjetër vrasje, për të cilën ai identifikohet si i dyshuari kryesor. Ky detaj nuk është përfshirë në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Aktualisht, 52-vjeçari mbahet në paraburgim federal në SHBA. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se po bashkëpunon me autoritetet amerikane për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku duhet të vuajë dënimet e dhëna nga drejtësia shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco