AKTUALITET, 11 October 2026, 15:31

Shkon në 2 bilanci i viktimave nga aksidenti tragjik në rafinerinë “Motor Oil” në Greqi, ndërron jetë edhe shqiptari tjetër i plagosur

Shkon në 2 bilanci i viktimave nga aksidenti tragjik në

Ka shkuar në dy numri i viktimave shqiptare si pasojë e aksidentit të rëndë në punë të ndodhur në impiantet e rafinerisë “Motor Oil” në Agioi Theodoroi të Greqisë, pasi pasditen e së dielës ndërroi jetë edhe punëtori i dytë i intubuar.

Viktima e dytë është 50-vjeçari me origjinë shqiptare, Dorian Hysa. Ai ndodhej i shtruar në gjendje jashtëzakonisht kritike në Spitalin e Përgjithshëm “Thriasio” të Elefsinës për shkak të dëmtimeve të rënda që kishte pësuar në kokë. Pavarësisht përpjekjeve intensive të trupës mjekësore, 50-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Tragjedia nisi më 9 tetor, kur ndërroi jetë viktima e parë e këtij aksidenti, 43-vjeçari shqiptar Robert Cakaj, i cili po ashtu u transportua në Spitalin Thriasio me djegie dhe dëmtime të shumta trupore.

Autoritetet policore greke kanë thelluar hetimet lidhur me shkeljen e normave të sigurisë në punë gjatë kryerjes së proceseve të mirëmbajtjes në rafineri.

 

Sipas raportimeve, Policia greke ka ekzekutuar urdhërarrestet për tre drejtues të kompanisë “Motor Oil”, të cilët ishin përgjegjës të drejtpërdrejtë për mbikëqyrjen e zbatimit të projektit dhe kontrollin e masave mbrojtëse në ambientet e punës.