SYRI TV/ Aksi Elbasan-Peqin, burim aksidentesh, një pjesë e madhe e këtij aksi pa ndriçim

12:48, 11/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Aksi Elbasan-Peqin është kthyer në një burim aksidentesh, të cilat jo pak herë rezultojnë fatale. Banorët e zonës dhe drejtues të ndryshëm automjetesh shprehen se shkaku kryesor i aksidenteve mbetet mosrespektimi i rregullave e sinjalistikës rrugore. Gjatë natës, në një pjesë të madhe të këtij segmenti mungon ndriçimi, gjë e cila ka sjellë rritjen e numrit të aksidenteve, ndërsa banorët u kanë bërë thirrje institucioneve për të ndërhyrë.

Prej kohësh, aksi nacional Elbasan-Peqin është kthyer në një problem sa i përket qarkullimit e aksidenteve të shumta që ndodhin në të, të cilat jo pak herë rezultojnë fatale. Jo më larg se mbrëmjen e djeshme, dy automjete u përfshinë në një aksident, shkak i të cilit u bë një parakalim i gabuar. Si pasojë e përplasjes së fortë, një 70-vjeçare humbi jetën e tre persona të tjerë mbetën të plagosur e vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Banorët e zonës dhe drejtues të ndryshëm automjetesh shprehen se raste të tilla janë të përsëritura e shkaku kryesor mbetet mosrespektimi i rregullave e sinjalistikës rrugore. Sipas tyre, shumë drejtues udhëtojnë me shpejtësi skëterre, ndonëse duhet të tregojnë kujdes në kthesat e shumta të këtij aksi.

Sipas tyre, gjatë natës, qarkullimi për drejtuesit e automjeteve vështirësohet si pasojë e mungesës së ndriçimit në aks e kjo shpeshherë është kthyer në burim aksidenti. Ata u bëjnë thirrje institucioneve për të marrë masa, por në të njëjtën kohë edhe drejtuesit e automjeteve duhet të ndërgjegjësohen e për ata që shkelin rregullat duhet të merren masa më shtrënguese, në mënyrë që të ulet numri i aksidenteve të tilla.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco