Pas 2 ditësh në luftë për jetën, ka ndërruar jetë edhe shqiptari i dytë i plagosur nga shpërthimi në rafinerinë e naftës “Motor Oil” në Greqi. Dorian Hysa, 50 vjeç, emri dhe foto e të cilit raportohet nga Top Channel, nuk u mbijetoi dëmtimeve të rënda në kokë. Aksidenti i 9 tetorit i kishte marrë jetën edhe kolegut të tij 43-vjeçar.
Sipas mediave greke, Hysa ndërroi jetë pak para orës 13:00 të së dielës në spitalin “Thriasio” të Elefsinës, ku ndodhej i intubuar në gjendje jashtëzakonisht të rëndë.
Ndërkohë, hetimet për aksidentin janë shoqëruar me tri arrestime të tjera, duke e çuar në katër numrin e personave të arrestuar. Përveç kontraktorit 59-vjeçar të ekipit të jashtëm, në pranga kanë rënë një përgjegjës punimesh 36-vjeçar, drejtuesi 50-vjeçar i departamentit të Shëndetit dhe Sigurisë dhe një operator i projektit, 34 vjeç.
Kujtojmë se 43-vjeçari Robert Cakaj, me origjinë shqiptare, me shumë plagë, i cili u transferua në Njësinë e Djegieve në Thriasio, ndërroi jetë në spital më 9 tetor, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.
Në të njëjtën kohë, Policia greke po i vë nën vëzhgim masat e pamjaftueshme të sigurisë gjatë punimeve të mirëmbajtjes. Autoritetet vazhduan me tre arrestime të reja të drejtuesve të “Motor Oil”, të cilët ishin të përfshirë drejtpërdrejt në mbikëqyrjen e projektit kontrovers.
LEXO EDHE: Akuzat për dhunë policore ndaj 2 shqiptarëve në Shkup, BDI kërkon dorëheqjen e zv.ministrit Iseni!