Gjykata zbardh dinamikën e ngjarjes në Livoç: fillimisht qëlloi bashkëshorten në veturë

Gjykata Themelore i ka caktuar një muaj paraburgim V.R.-së, i cili dyshohet se vrau bashkëshorten dhe vëllain e saj, ndërsa plagosi edhe dy persona të tjerë në fshatin Livoç i Ultë të Gjilanit.

Të lidhura

None found

Rasti i rëndë është shënuar të premten, më 9 tetor, rreth orës 14:21.

Detajet mbi mënyrën se si ka ndodhur ngjarja janë përshkruar në dosjen e Gjykatës Themelore.

Sipas dosjes, më 09.10.2026, rreth orës 14:21, në fshatin Livoç i Ultë, V.R. dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje për motive ende të panjohura, i ka marrë jetën bashkëshortes së tij, N.B., si dhe vëllait të saj, E.B. Po ashtu, ai dyshohet se ka plagosur rëndë M.B. dhe ka rrezikuar jetën e R.B.

Në përshkrimin e ngjarjes thuhet se i pandehuri kishte udhëtuar fillimisht me bashkëshorten drejt fshatit Pozheran të Komunës së Vitisë, për të shkuar te familja e saj. Të dy janë kthyer menjëherë në drejtim të Gjilanit, ndërsa M.B. dhe R.B., së bashku me E.B., kanë udhëtuar pas tyre me një veturë Pikap Opel Combo, me targa 239-HM, me qëllim që të bisedonin.

Kur kanë hyrë në fshatin Livoç i Ultë, të tre personat e kanë tejkaluar veturën e V.R.-së dhe janë ndalur për ta pritur. Megjithatë, ai ka vazhduar drejt Gjilanit me një veturë Tiguan të zezë, me targa 06-767-HK.

Gjatë vozitjes, sipas pretendimeve të përfshira në dosje, V.R. ka përdorur një armë të llojit Beretta, me numër serik PX321722, dhe nga distanca e afërt ka qëlluar në drejtim të bashkëshortes së tij, e cila ndodhej në ulësen e përparme, në anën e pasagjerit. N.B. ka humbur jetën si pasojë e të shtënave.

Më pas, i dyshuari është kthyer nëpër një rrugë tjetër dhe e ka ndalur veturën pas Pikapit ku ndodheshin M.B., R.B. dhe E.B. Pasi këta kanë dalë nga automjeti, ai ka zbritur duke mbajtur armën dhe u ka thënë: “Unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra”.

Menjëherë pas kësaj, ai ka qëlluar në drejtim të tyre. R.B. ka arritur të largohet, ndërsa M.B. është plagosur dhe ka mundur të strehohet në oborrin e një shtëpie. E.B. nuk ka arritur të ikë dhe, pasi V.R. ka shtënë disa herë drejt tij, ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Pas krimit, V.R. dyshohet se e ka dërguar me veturën Tiguan trupin e pajetë të N.B. në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, pranë emergjencës, ku e ka lënë. Më pas, ai është paraqitur dhe është dorëzuar në polici.


Shtuar më 11.10.2026 16:40

Quantcast