
Në një reagim në rrjete sociale, Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas deklaratave të Elisa Spiropalit në Kuvend, duke e ftuar atë të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të bëjë publike faktet që, sipas tij, disponon për shantazhet e pretenduara nga Belinda Balluku ndaj kundërshtarëve politikë gjatë zgjedhjeve të vitit 2025.
Këlliçi e cilëson denoncimin e Spiropalit si një zhvillim që nxjerr në pah përplasjet e brendshme në mazhorancë, ndërsa akuzon pushtetin e Edi Ramës për abuzim dhe lidhje me grupe kriminale.
“Nëse ajo dëshiron të japë më shumë kontribut për shoqërinë, mund të bashkëpunojë me drejtësinë”, shkruan Këlliçi, duke theksuar se Spiropali duhet të tregojë çfarë di për presionet e pretenduara brenda dhe jashtë Partisë Socialiste.
Postimi i plotë:
Kur Elisa denoncon Belindën publikisht për presione shantazh!
Në seancën e fundit parlamentare, Elisa Spiropali ka bërë një denoncim të fortë. Ajo pranoi se brenda mazhorancës ka persona apo grupe që bëjnë presion, duke nënkuptuar Belinda Ballukun.
Deputetja gjithashtu konfirmoi se ish zëvendëskryeministrja ka ushtruar shantazh ndaj kundërshtarëve me krimin e organizuar, në zgjedhjet e fundit të 2025. Spiropali po ashtu u shpreh se Balluku e ka vendin në burg!
Lufta për pushtet mes klaneve të rilindjes njihet. Ajo është aq e fortë sa ka shkaktuar jo pak viktima.
Veliaj është në burg, Gysi dhe Vlora po ashtu. Ata e meritojnë të jenë subjek i drejtësisë për krimet që kanë kryer, po nuk do të ishin aty sot pa investimin e Ramës apo Ballukut.
Eshtë hera e parë që një deputet brenda shumicës flet kaq hapur. Nuk dihet nga e ka marrë kurajon Spiropali ta bëjë këtë denoncim, por mund të thuhet se tani ata nuk llogarisin më asgjë, pasi aq e ashpër është përplasja mes tyre.
Këto janë shenjat e një pushteti të abuzuar në palcë, ku prioritet është vetëm pasurimi e fuqizimi i grupimeve kriminale.
Por po ashtu, janë shenjat e kalbëzimit në skaj të këtij pushteti që është në rrënim total.
Është për t’u vlerësuar disi kjo ngritje zëri e Elisës dhe adresimi konkret.
Nëse ajo dëshiron të japë më shumë kontribut për shoqërinë, mund të bashkëpunojë me drejtësinë.
Të tregojë faktet që di për shantazhimin që bën Belinda Balluku ndaj kundërshtarëve politike, brenda dhe jashtë llojit!