Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, konfirmoi se në vend kanë mbërritur 30 mijë vaksina kundër gripit, të siguruara nga prodhues evropianë dhe koreanojugorë. Në një deklaratë për televizionin Sitel, ai tha se procesi i imunizimit do të nisë në kohë, sikurse çdo sezon.
Të lidhura
None found
Autoritetet presin që deri në mesin e nëntorit të mbërrijnë edhe 26 mijë doza të tjera. Më pas, vendi do të furnizohet edhe me sasitë e mbetura, duke arritur objektivin e planifikuar prej 80 mijë vaksinash.
“Sasitë e para të vaksinave arritën dje në vend dhe do t’u nënshtrohen kontrolleve dhe testimeve të nevojshme. Presim që të martën të aktivizohet sistemi ‘Termini Im’ për paraqitjen për vaksinim dhe sipas planit, deri në fund të javës ose në fillim të javës së ardhshme të fillojmë t’i ftojmë qytetarët për vaksinim”, deklaroi Klekovski për TV Sitel.
Vonesat në furnizim u njoftuan nga autoritetet shëndetësore në fillim të kësaj jave. Sipas tyre, OBSH-ja publikoi më vonë se zakonisht shtamet e virusit për sezonin aktual, duke bërë që prodhuesit në Evropë dhe në vende të tjera të nisnin me vonesë prodhimin dhe dërgimin e vaksinave.
Edhe gjatë sezonit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë kishte siguruar 80 mijë vaksina kundër gripit, të cilat iu ofruan pa pagesë grupeve të rrezikuara.
Klekovski sqaroi se 30 mijë dozat e mbërritura dje mundësojnë vaksinimin e 1.500 qytetarëve çdo ditë pune deri më 15 nëntor.
“Me këto 30 mijë vaksina presim të mund të vaksinojmë nga 1.500 qytetarë në ditët e punës deri më 15 nëntor. Më pas, me 26 mijë dozat e ardhshme mund të arrijmë në 56 mijë deri në fund të nëntorit dhe shpresoj që deri atëherë të mbërrijnë edhe 25 deri në 30 mijë dozat e tjera, për të arritur numrin e planifikuar prej 80 mijë vaksinash”, tha Klekovski.






