
Donald Trump ka njoftuar një armëpushim energjetik midis Ukrainës dhe Rusisë, me sa duket pa u konsultuar me Volodymyr Zelenskyy-n, i cili tha se marrëveshja për të ndalur sulmet me rreze të gjatë ishte "diçka e re" për të.
Në një postim në rrjetet sociale, presidenti amerikan pretendoi se të dyja palët kishin arritur një marrëveshje. "Me efekt të menjëhershëm, ka një ARMËPUSHIM ENERGJETIK në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës. Të dyja palët kanë rënë dakord. Mos e shkelni!" – shkroi ai në platformën Truth Social.
Ai nuk dha detaje të mëtejshme. Zelenskyy u shpreh i habitur nga njoftimi, por tha se do ta pranonte atë nëse Vladimir Putin do të bënte të njëjtën gjë. "Nëse Presidenti Trump e negocioi atë me Putinin – ju lutem na tregoni se kur fillon armëpushimi. Ne jemi gati dhe do ta pranojmë,"- tha presidenti ukrainas.
Më herët, Zelenskyy e kishte refuzuar kërkesën e Trump-it, të bërë të shtunën, që Kievi të ndalonte bombardimin e rafinerive ruse të naftës. Zelenskyy tha se Moska duhet fillimisht të ndalojë sulmet e saj "brutale" ndaj infrastrukturës energjetike të vendit të tij.
Çdo marrëveshje për t'i dhënë fund sulmeve me dronë me rreze të gjatë nga Ukraina ndaj objektivave brenda Rusisë do të duhej të ishte "reciproke", tha ai. Ajo duhet të mbështetet nga "garanci reale" – që nënkupton masa ndëshkuese kundër Moskës nga aleatët e Ukrainës, përfshirë SHBA-në. Versus.al

