Muli vendosi sot të bënte një denoncim të fortë kundër Erion Braçes, i cili ka hedhur në erë planet e opozitës për rrëzimin e qeverisë.
Duke diskutuar me Lelon për këtë tradhti të pashembullt të Braçes, Muli vendosi të bënte një deklaratë në emër të PD-së, duke e fajësuar Braçen si tradhtar dhe si një politikan që i ka borxh opozitës rrëzimin e qeverisë.
Në deklaratë thuhet:
“Të nderuar demokratë!
Javën që u mbyll u gjendëm përpara një akti të pabesë dhe një thike pas shpine për opozitën. Erion Braçe na mbushi mendjen se do ta rrëzonte qeverinë për reformën territoriale dhe na e bëri fushë me lule. Ishte kjo arsyeja që unë, Belua dhe Edi Paloka ikëm për safari në Afrikë, që ta shijonim atje, mes luanëve dhe tigrave, fitoren mbi Edi Ramën.
Ne ishim të bindur se beteja e tij do t’i jepte opozitës një fitore të vyer.
Por, siç ndodh me gjithë socialistët, edhe ky nuk bën përjashtim, madje është edhe socialist race: na gënjeu dhe na nguli thikën pas shpine.
Kështu na e shkatërroi udhëtimin në Afrikë, na prishi gjithë terezinë dhe, mbi të gjitha, e dëshpëroi thellë opozitën.
Ne ia kishim bërë të qartë se kaq fuqi kemi dhe nuk e rrëzojmë dot Edi Ramën pa të. Ai, duke e ditur këtë, na vuri në gjumë sikur do ta rrëzonte dhe jo vetëm që nuk e rrëzoi, por e forcoi edhe më shumë.
Kjo tradhti i shtohet vazhdës së tradhtive dhe thikave pas shpine që PS-ja i ka ngulur PD-së ndër vite, duke dëshmuar edhe një herë se ajo është një parti e pabesë, që e ka shpikur besën si institucion ngaqë janë të gjithë tradhtarë.
I kërkojmë çdo demokrati dhe demokrateje ta dënojë rëndë aktin e tij dhe kjo të shërbejë në të ardhmen si një kujtesë e hidhur për çdo rast kur na shkon mendja se Edi Ramën mund ta rrëzojmë nga brenda.
Ata janë të pabesë, ndaj mos shpresoni kot.
Gjithë forcat dhe shpresat te Doktori!”
Lini një Përgjigje