Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, lidhur me mundësinë e bashkimit të partive shqiptare në një listë të përbashkët parlamentare. Sipas Kamberit, rëndësia e këtij bashkimi nuk lidhet vetëm me numrin e mandateve që mund të fitojnë shqiptarët, por edhe me ndikimin politik që mund të ushtrojë një përfaqësim i bashkuar dhe i pavarur.
Në një postim, Kamberi thekson se çështja kryesore është se çfarë do të përfaqësojnë politikisht deputetët shqiptarë dhe si do ta përdorin mandatin e tyre.
“Çështja nuk është domosdoshmërisht sa deputetë shqiptarë do të hyjnë në Parlament, por çfarë do të përfaqësojnë ata politikisht dhe çfarë mund të bëjnë me atë përfaqësim”, ka shkruar ai.
Kamberi ka kritikuar gjuhën e përdorur nga Vuçiçi ndaj idesë së një liste të përbashkët shqiptare, duke argumentuar se paraqitja e kundërshtarëve politikë si armiq e zhvendos debatin nga programet dhe konkurrenca zgjedhore te besnikëria ndaj pushtetit.
“Kur një ish-president dhe kandidat për kryeministër e paraqet një listë zgjedhore të pakicës kombëtare si armike, ai e zhvendos debatin nga programi, të drejtat dhe rezultatet te lojaliteti ndaj tij e partisë shtet”, ka deklaruar deputeti shqiptar.
Sipas Kamberit, një qasje e tillë krijon presion politik mbi partitë dhe kandidatët që mund të bashkëpunojnë me përfaqësuesit shqiptarë, ndërsa kritikat ndaj qeverisë serbe paraqiten si veprime kundër interesave të vendit.
Ai vlerëson se një përfaqësim shqiptar i bashkuar, kritik dhe i pavarur mund të ketë më shumë ndikim politik sesa një numër më i madh deputetësh që përshtaten me qëndrimet e pushtetit.
Kamberi ka identifikuar tri drejtime ku, sipas tij, deputetët shqiptarë mund të ushtrojnë ndikim. Në Parlament, ata mund të ngrenë çështje që lidhen me pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në arenën ndërkombëtare, sipas tij, përfaqësuesit shqiptarë mund të dokumentojnë shkeljet e pretenduara të të drejtave të komunitetit, ndërsa në debatin e brendshëm politik serb mund të dëshmojnë se ekziston një përfaqësim shqiptar i pavarur nga politika qeveritare. Ai ka pretenduar gjithashtu se përmes deklaratave për besnikërinë ndaj shtetit po zhvendoset vëmendja nga problemet konkrete të shqiptarëve në Luginën e Preshevës drejt pyetjes se kujt i shërbejnë ata kur kërkojnë të drejtat e tyre.