Lajmi i fundit

SYRI I BOTËS/ Kush i tradhtoi sekretet gjermane?

VIDEO/ Beqiraj: Keqpërdorimi i informacionit të klasifikuar, shqetësim për sigurinë dhe Aleancën Euroatlantike

18:44, 11/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Studiuesi Evarist Beqiraj, i ftuar në emisionin ‘SYRI I BOTËS’ në SYRI TV, me moderatoren Dori Daka, ka komentuar arrestimin e ish-drejtuesit të shërbimit sekret gjerman, duke ngritur shqetësime për keqpërdorimin e informacionit të klasifikuar dhe rreziqet që këto raste paraqesin për sigurinë kombëtare dhe atë të Aleancës Euroatlantike.

Beqiraj theksoi se mbrojtja e informacionit të klasifikuar është një nga detyrat kryesore të drejtuesve të shërbimeve inteligjente. Duke iu referuar ligjit organik të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), ai nënvizoi se drejtuesit kanë përgjegjësinë të ruajnë informacionin dhe ta ndajnë atë vetëm me institucionet që kanë të drejtë ligjore për ta përdorur.

Sipas studiuesit, situata bëhet veçanërisht e rëndë kur vetë personat që kanë për detyrë të mbrojnë informacionin dyshohen për keqpërdorimin e tij për interesa private. Ai theksoi se rregullat e sigurisë duhet të rishikohen jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, por edhe pas largimit nga funksioni, pasi ish-drejtuesit mund të kenë ende akses në informacione sensitive.

Duke u ndalur te rreziqet për sigurinë, Beqiraj paralajmëroi se krimi i organizuar mund të shfrytëzohet edhe nga shërbime të huaja për të realizuar objektivat e tyre. Ai e vendosi këtë fenomen në kontekstin e luftës hibride, duke përmendur shërbimet ruse, kineze dhe iraniane si aktorë që, sipas tij, mund të synojnë aksesin në informacione që lidhen me Aleancën Euroatlantike.

‘Po të shikosh ligjin e Shërbimit Informativ të Shtetit, ligjin organik, flitet që një nga detyrat kryesore të drejtorit të SHISH-it është mbrojtja e informacionit të klasifikuar dhe marrja e masave për ta mbrojtur.

Ndërkohë kur ne kemi raste kur vetë informacioni duhet mbrojtur nga drejtuesi, nga ky drejtor i cili ka detyrimin për ta ruajtur, për t'u kujdesur dhe për ta ndarë me ato institucione që duhet ndarë.

Qoftë institucionet e drejtësisë, por qoftë dhe institucionet vendimmarrëse që bëjnë politika në vend ose që kanë detyrimin ligjor për t'u njohur me këtë informacion dhe për ta shfrytëzuar në interes të vendit, të kombit.

Ndërkohë që kur ky kthehet në të dyshuarin kryesor për keqpërdorimin e këtyre informacioneve, për trajtimin e institucionit për interesa të vogla private, meskine, atëherë situata është shumë e rëndë pra. Duhen riparë të gjitha rregullat. Pra duhet kujdes.

Jo vetëm përgjatë detyrës, jo vetëm gjatë periudhës ku një zyrtar është në detyrë, por duhet, siç na tregon rasti i Gjermanisë, duhet kujdes i shtuar edhe në momentin e shkëputjes së marrëdhënieve, sepse bëhet fjalë për një zyrtar të shërbimit, pra drejtor të shërbimit gjerman që ka shkëputur karrierën, është në pension tashmë, dhe ndërkohë ka pasur akses në informacion që nuk duhet të kishte dhe e ka shfrytëzuar këtë për interesa të tija të punës që bën, aktualisht, privat, pra.

Dhe që kjo është një situatë që në një farë mase, pra siç e thashë, duket sikur nuk është thjesht dhe vetëm një rast sporadik, por duket si një rast i përsëritur, pra ku ish-drejtorë dhe drejtorë bëhen objekt hetimesh të tilla.

Kuptohet që unë nuk do ta lidhja se në Shqipëri flitet tani thjesht dhe vetëm për krimin e organizuar, por ne nuk duhet të harrojmë që shpesh krimi i organizuar përdoret edhe nga shërbime jo mike për të kryer ato objektivat dhe për të realizuar objektivat e tyre në mënyrë më efektive.

Pra, e kemi raste konkrete ku janë përdorur qoftë për realizime goditjesh, atentatesh ndaj individëve të cilët ata i konsiderojnë si kërcënim, por dhe për të kryer operacione të tjera. Dhe kjo është pjesë e luftës hibride, pra do ta shikoja si një operacion më të gjerë që shërbimet ruse, kineze apo dhe iraniane, po të doni ju, apo dhe shtete të tjera që janë pjesë e këtij blloku, shfrytëzojnë pra të gjitha kapacitetet e tyre në mënyrë të tillë që të kenë akses në informacione që lidhen me Aleancën Euroatlantike.

Dhe ky është një tjetër rast që ngre shqetësimin në nivel aleance tashmë.

Pra, nuk është thjesht dhe vetëm rasti i Shqipërisë ku ne deri tani flitet për keqpërdorim ose nxjerrje të informacionit të klasifikuar dhe përkrahje të një autori të një krimi, por ndërkohë ne nuk e dimë akoma se kush i ka shfrytëzuar dhe çfarë informacionesh mund të kenë dalë nga institucioni.

Pra në nivel, po themi, në nivel operacional, në nivel institucional, por dhe në nivel strategjik. Pra sa i thellë është dëmi.’, tha ndër të tjera studiuesi Evarist Beqiraj në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco