“Atdheu mbetet atdhe edhe kur të shkakton dhimbje”/ Auron Tare denoncon braktisjen e themeleve të shtëpisë së Mitrush Kutelit

Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka publikuar fotografi nga rrënojat e banesës së shkrimtarit të njohur shqiptar Mitrush Kuteli, duke ngritur shqetësimin për gjendjen e mjerueshme të këtij vendi. Sipas tij, hapësira ku dikur ndodhej shtëpia e një prej figurave të rëndësishme të letërsisë shqiptare është shndërruar në pikëgrumbullim mbeturinash.

Rrënojat ndodhen rreth 20 metra larg kopshtit të Lasgush Poradecit. Tare vëren gjithashtu se rrugica që lidhte dikur banesat e dy personaliteteve të letrave shqipe është bllokuar me mure dhe gurë.

Të lidhura

None found

“Shqiptarët i hedhin plehra themeleve të shtëpisë së tij. Vetëm 20 metra nga kopshti i Lasgushit, shtëpia është rrënuar dhe ka mbetur vend hedhurinash”, shkruan ai, duke shprehur indinjatën për neglizhimin e trashëgimisë së shkrimtarit.

Mitrush Kuteli, i cili quhej në të vërtetë Dhimitër Pasko, ishte prozator, poet, përkthyes, publicist, folklorist dhe kritik letrar. Vepra e tij pati një rol të rëndësishëm në zhvillimin e prozës moderne shqipe dhe në pasurimin e kulturës kombëtare.

Në publikimin e tij, Auron Tare ka sjellë edhe një pjesë nga letra e lamtumirës së Kutelit drejtuar bashkëshortes. Në këtë fragment, shkrimtari u përcillte fëmijëve të tij këshillën që ta donin vendin dhe gjuhën shqipe, edhe kur jeta do t’i përballte me vuajtje të padrejta.

“Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje”, thuhet në pjesën e letrës së publikuar nga Tare.

Në postimin e tij, studiuesi e përshkruan Kutelin si prozator, poet, folklorist, publicist, përrallëtar dhe kritik letrar, duke theksuar se ai i la kulturës dhe mendimit shqiptar më shumë se 10 botime letrare.


Shtuar më 11.10.2026 18:47

Quantcast