Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për shpërthimin e fuqishëm në Gjirokastër, ku humbi jetën Beqir Devolli, ndërsa mbeti i plagosur Erigers Mela, 26 vjeç.
Sipas raportimeve në media, Mela është djali i një ish-prokurori të Gjirokastrës, ndërsa nëna e tij Mimoza Mela, punon si sekretare pranë Prokurorisë.
Ky fakt ka ngritur dyshimet për një hakmarrje të mundshme për shkak të çështjeve të trajtuara në të kaluarën nga babai i tij.
Një tjetër pistë që po hetohet është ajo e konflikteve personale. Sipas të dhënave paraprake, në pjesën e poshtme të automjetit dyshohet se ishte vendosur rreth 300 gramë TNT.
Hetuesit po punojnë për të përcaktuar nëse objektiv i atentatit ishte Beqir Devolli apo Erigers Mela. Dëshmia e 26-vjeçarit pritet të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave dhe motivit të ngjarjes.
Si ndodhi atentati?
Atentati me lëndë plasëse në Gjirokastër u regjistrua mbrëmjen e 10 tetorit 2026, rreth orës 22:00, në bulevardin “18 Shtatori”, pranë Gjykatës dhe Drejtorisë Vendore të Policisë. Një automjet tip “Mercedes-Benz”, që ishte në lëvizje, shpërtheu pasi dyshohet se brenda tij ishte vendosur tritol. Si pasojë, drejtuesi i mjetit, Beqir Devolli, humbi jetën, ndërsa pasagjeri, Erigers Mela, mbeti i plagosur.
Pas shpërthimit, automjeti humbi kontrollin dhe u përplas me trafikndarësen, ndërsa pjesa e sipërme dhe dyert e tij pësuan dëmtime të rënda. Të dy personat u dërguan fillimisht në spitalin e Gjirokastrës. Për shkak të gjendjes së rëndë, Devolli u nis drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por ndërroi jetë gjatë transportimit. Mela, 26 vjeç, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
LEXO EDHE:














