Policia polake ka arrestuar një person të dyshuar për planifikimin e një sulmi ndaj kryeministrit Donald Tusk dhe zëvendëskryeministrit, njëherazi ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz. Lajmi u bë publik nga vetë kreu i qeverisë polake përmes një postimi në platformën X, ku ai konfirmoi arrestimin dhe vlerësoi reagimin e shpejtë të strukturave të sigurisë.
Arrestimi u konfirmua gjithashtu nga ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përfshirë Reuters dhe Associated Press (AP), autoritetet polake kishin marrë informacione për një sulm të mundshëm ndaj dy zyrtarëve të lartë dhe po hetonin seriozitetin e kërcënimit.
Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë publike të gjitha hollësitë mbi identitetin e të dyshuarit dhe planin e pretenduar të sulmit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të rastit dhe nivelin e rrezikut që paraqiste kërcënimi ndaj drejtuesve të lartë të shtetit polak.
© SYRI.net