Arabia Saudite- Aeroporti ndërkombëtar i Riadit është goditur për herë të dytë brenda dy ditësh.
Një zëdhënës ushtarak saudit tha se një predhë goditi Aeroportin Ndërkombëtar "Mbreti Khalid" të dielën, duke shkaktuar zjarr në një nga sallat e pasagjerëve. Autoriteti i Aviacionit Civil të Arabisë Saudite raportoi se pati të lënduar.
Kjo ndodh një ditë pasi një sulm në të njëjtin aeroport vrau 13 persona dhe plagosi 308 të tjerë, pas sulmeve të ngjashme të ndodhura më herët gjatë javës.
Lëvizja Houthi në Jemen deklaroi se qëndronte pas këtyre sulmeve dhe paralajmëroi kompanitë ajrore e pasagjerët që të mos përdornin aeroportet dhe hapësirën ajrore të Arabisë Saudite.
Grupi njoftoi se e kishte vënë në shënjestër aeroportin me një kombinim raketash balistike dhe raketash lundruese, si dhe me dronë, gjatë 24 orëve të fundit.
Ata sulmuan gjithashtu impiante nafte dhe aeroportin e Dammam-it në pjesën lindore të Arabisë Saudite, tha zëdhënësi i tyre ushtarak, gjeneral-brigade Yahya Saree.
Ai u zotua se do të vazhdojë "operacionet në përshkallëzim e sipër thellë brenda territorit saudit", duke paralajmëruar se të gjitha aeroportet saudite janë objektiva të mundshme, me përjashtim të atyre në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës.
Houthi-t kanë deklaruar se po e vënë në shënjestër Arabinë Saudite për shkak të mbështetjes së saj ndaj forcave qeveritare në luftën civile të Jemenit, si dhe për shkak të një sulmi ajror ndaj aeroportit të Sanaa-s. Versus.al

