Sport

Festë bardheblu në ‘Arenën Kombëtare’, Tirana mposht Partizanin në derbi dhe e fut në telashe!

Derbi i Kryeqytetit vishet me ngjyrat bardheblu. Në Arenën Kombëtare Tirana iu imponua rivalëve historikë të Partizanit në sfidën e 213 mes tyre duke e mundur bindshëm 3-1, një sukses që e ngjit atë në kuotën e 8 pikëve.

Derbi nisi në një atmosferë të zjarrtë të krijuar nga të dyja tifozeritë të pranishëm në tribuna falë edhe koreografive të tyre. Minutat e para ishin të gjitha për Tiranën e cila priti vetëm 7 minuta për të marrë avantazhin me një supergol të Redon Xhixhas dhe tifozët bardheblu shpërthyen në festë. Një gol që i dha akoma më shumë zemër Tiranës  që mbylli Partizanin në zonë. Pasi e kaluan asfiksinë e minutave të para, Partizani me kalimin e kohës u përpoq të shihte nga porta e Tiranës dhe goditi shtyllën me Aliun, ndërkohë që në minutën e 36 ishte radha e Të Kuqve të festonin teksa Himallari shënoi golin e barazimit pas një aksioni personal të Skukës dhe skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me barazimin 1-1.

Pjesa e dytë nisi menjëherë me një rast për Tiranën për të cilën tentoi Hazrollaj, por Qirko e ndali. Po ky futbollist tentoi pak më vonë, por topi shkoi ngjitur me portën e Të Kuqve. Në krahun tjetër Partizani tentoi me Aliun që sërish u ndal nga shtylla. Në minutën e 66 Human humbi një mundësi të mirë shënimi, por i mungoi saktësia në gjuajtjen e tij. Megjithatë ajo që gjeti golin ishte Tirana që në minutën e 79 shënoi me Kis duke marrë sërish avantazhin në rezultat në 2-1 dhe festa ishte e gjitha bardheblu. Nuk kaloi shumë dhe Tirana fitoi një 11 metërsh të cilin e ekzekutoi Kis i cili nuk gaboi duke e çuar rezultatin në 3-1 për bardheblutë, ndërkohë që plotësoi edhe dygolëshin personal. Ky ishte dhe rezultati përfundimtar i kësaj ndeshjeje me Tiranën që me këtë 3 pikësh ngjit shkallët e klasifikimit, ndërsa Partizani e sheh veten në telashe të mëdha pasi mbetet në kuotën e 4 pikëve.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.