Një 58-vjeçar me origjinë shqiptare ka mbetur i plagosur rëndë pas një sulmi me thikë brenda banesës së tij në Agia Galini, në zonën e Rethymnos, në Kretë.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, ngjarja ndodhi gjatë natës, ndërsa policia greke po kërkon një 17-vjeçar, i cili dyshohet se është i përfshirë në sulm. 58-vjeçari, i cili jeton në zonë së bashku me familjen e tij, ka marrë dy plagë në pjesën e barkut. Pas incidentit, ai u transportua fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Moires, ku mori ndihmën e parë.
Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, më pas u dërgua me ambulancë në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Heraklionit (PAGNI), i shoqëruar nga një mjek, për të marrë trajtim të specializuar. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Forcat e shërbimit policor po punojnë për lokalizimin e 17-vjeçarit, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura rrethanat që çuan në sulm dhe motivet e mundshme. Sakaq, hetuesit po shqyrtojnë provat për të sqaruar se çfarë ndodhi brenda banesës dhe për të përcaktuar përgjegjësitë në këtë rast.













