Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar një hetim të plotë dhe ndjekje penale ndaj autorëve të dokumentarit “NAZA”, duke i akuzuar për shkelje të rënda që lidhen me sigurinë e informacionit, shpifjen dhe cenimin e interesave politike e të sigurisë së Izraelit.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Netanyahu iu drejtua Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, drejtuesit të Shin Bet dhe Prokurorit të Përgjithshëm, duke u kërkuar që rasti të shqyrtohet në mënyrë të gjithanshme.
Të lidhura
None found
Sipas tij, dokumentari përcjell një version të rremë, manipulues dhe të njëanshëm të ngjarjeve, duke dëmtuar reputacionin e Izraelit dhe të Forcave të Armatosura Izraelite (IDF) në nivel ndërkombëtar.
“Filmi paraqet një komplot të rremë, mashtrues dhe të anshëm, i cili diskrediton Shtetin e Izraelit dhe Forcat e Armatosura Izraelite në të gjithë botën dhe shkakton dëme serioze në reputacionin ndërkombëtar të Izraelit”, shkroi Netanyahu. Në të njëjtin reagim, ai shprehu edhe mbështetjen e tij për ushtarët izraelitë.
“NAZA”, i drejtuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Shor, fokusohet te procesi përmes të cilit Izraeli përcakton objektivat për sulmet në Gaza. Filmi pretendon se numri i lartë i viktimave civile është përfshirë në mënyrë sistematike në këto vendimmarrje, akuzë që mohohet nga Netanyahu dhe ushtria izraelite.
Materiali është ndërtuar mbi intervista anonime me oficerë të inteligjencës dhe ushtarë, ndërsa ka marrë një çmim të rëndësishëm në Festivalin e Filmit në Venecia. Emërtimi i dokumentarit i referohet një termi ushtarak izraelit që përdoret për të përshkruar “dëmin kolateral” të parashikuar.
Netanyahu ka reaguar edhe më herët ndaj kritikave kundër ushtrisë izraelite. Në mesin e shtatorit, ai deklaroi se do të miratonte një ligj që parashikon heqjen e shtetësisë për personat të cilët, sipas tij, shpifin ndaj ushtarëve izraelitë.
Kërkesa e fundit për hetim është bërë në një periudhë kur dokumentari ka hapur diskutime të forta rreth operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza dhe pasojave të tyre për popullsinë civile.






