Njoftimi i presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës ka shkaktuar paqartësi, pasi pala ruse nuk ka konfirmuar zyrtarisht arritjen e një marrëveshjeje të tillë.
Trump deklaroi të dielën, më 11 tetor, përmes platformës së tij Truth Social, se të dyja palët kishin rënë dakord të ndalonin sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, duke theksuar se armëpushimi do të hynte në fuqi menjëherë.
Megjithatë, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Moska nuk kishte dhënë një përgjigje zyrtare në momentin e publikimit të lajmit, ndërsa as kushtet dhe as kohëzgjatja e marrëveshjes së pretenduar nuk ishin bërë të ditura.
Sipas Kyiv Independent, deputeti rus Igor Ananskikh, nënkryetar i Komitetit të Energjisë në Dumën Shtetërore, deklaroi se nuk kishte informacion për armëpushimin e njoftuar nga Trump.
Ai shprehu gjithashtu dyshime nëse deklarata e presidentit amerikan pasqyronte një marrëveshje konkrete, duke sugjeruar se njoftime të tilla mund të synojnë ndikimin në çmimet e naftës.
Deklarata e deputetit nuk përbën një qëndrim zyrtar të Kremlinit, por shton pikëpyetjet mbi ekzistencën e një marrëveshjeje të dakordësuar nga të dyja palët.
Edhe agjencia Reuters raportoi se njoftimi i Trumpit nuk ishte konfirmuar menjëherë nga Moska apo Kievi, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk dha sqarime shtesë mbi përmbajtjen e tij.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Kievi është i gatshëm të ndalojë sulmet ndaj objekteve energjetike ruse, me kusht që Moska të ndërpresë goditjet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Në një intervistë për median amerikane Axios, Zelensky tha se njoftimi i Trumpit ishte lajm i ri për të, por theksoi se Ukraina do ta pranonte armëpushimin nëse Rusia do të angazhohej për të njëjtën gjë.
Ndërkohë, në një deklaratë publike, presidenti ukrainas e mirëpriti nismën amerikane dhe shprehu shpresën që ajo të zbatohet në praktikë.
Kievi ka kërkuar vazhdimisht ndalimin e sulmeve ruse ndaj centraleve elektrike, objekteve të gazit dhe infrastrukturës tjetër jetike, ndërsa Ukraina ka vijuar sulmet me dronë ndaj rafinerive dhe instalimeve të naftës në territorin rus.
Lini një Përgjigje