Personi që shikoni në foton e mësipërme (majtas) është Lorenc Bami, personi i arrestuar nga policia këtë të diel, (11 tetor 2026), pasi dyshohet se ka ndërhyrë me fadromë në shtratin e lumit Vjosë.
Sipas njoftimit të policisë, Bami, 44 vjeç, banues në Tepelenë, është vënë në pranga, ndërsa një tjetër person, Andi Hasani, 49 vjeç, banues në Tiranë, është proceduar në gjendje të lirë. Ngjarja është konstatuar në vendin e quajtur “Gallaticë”, në fshatin Vasjar të Memaliajt, ku është evidentuar gërryerja e shtratit të lumit me mjete të rënda.
Të dy personat dyshohen për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.
Po kush është Lorenc Bami?
Lorenc Bami, ish-drejtor i Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Tepelenës njihet si një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të ish-kryebashkiakut Tërmet Peçi.
Emri i Bamit është përmendur më herët në raportimet mediatike për marrëdhëniet e tij me Peçin, gjatë kohës kur ky i fundit drejtonte Bashkinë e Tepelenës.
Bami është cilësuar si “krahu i djathtë” i Peçit dhe si një prej personave të përfshirë në dyshimet për favorizimin e kompanive të lidhura me familjarët e tyre në tendera, leje dhe përfitime nga fondet publike.
Sipas raportimeve në media, kompania e lidhur me bashkëshorten e Bamit është përmendur në procedura tenderimi dhe në raportime për përfitime nga fondet publike e programet e mbështetjes. Po ashtu, emrat e Bamit dhe Peçit janë përmendur në denoncime politike dhe mediatike për mënyrën e administrimit të pronave publike dhe shpërndarjen e kontratave në Bashkinë e Tepelenës.
Po ashtu, sipas një njoftimi të ndarë në media, rezulton se më datë 26.06.2026, Prokuroria e Gjirokastrës ka falur Lorenc Bamin, duke i pushuar një akuzë të rëndë, atë të ‘goditjes për shkak të detyrës’.













