Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin nacional Berat–Ura e Kuçit, në fshatin Poshnje, ku një makinë ka përplasur një 40-vjeçar i cili lëvizte me biçikletë.
Burime për mediat bëjnë me dije se për shkak të përplasjes shtetasi Endri Selfaj ka mbetur i plagosur. Ai është gjetur i shtrirë në mes të rrugës nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë njoftuar Policinë. Ndërsa shoferi i automjetit është zhdukur nga vendngjarja.
Selfaj u transportua fillimisht me ambulancë në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Beratit ku mori ndihmën e parë mjekësore. Por brenda pak minutave ai është dërguar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Ndërkohë, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore. Bëhet me dije se po vijon puna intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e drejtuesit që shkaktoi aksidentin. Po ashtu mësohet se janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve e banesave përgjatë këtij aksi rrugor.
