KPM-ja zhvillon sot mbledhjen, në fokus licencat dhe shkeljet e transmetuesve medialë

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) do të mblidhet të hënën, më 12 tetor, për mbledhjen e tij të 12-të me radhë. Në qendër të diskutimeve do të jenë çështje që lidhen me licencimin e mediave, ndryshimet në strukturat e pronësisë dhe rastet e dyshuara të shkeljeve të kushteve të licencave.

Të lidhura

None found

Mbledhja është caktuar të fillojë në orën 10:00. Sipas agjendës zyrtare, ndër pikat kryesore janë rekomandimet për vazhdimin e licencave të Radio Club FM dhe Radio Helix, si dhe kërkesat për ndryshim pronësie që prekin Kosova MTV, Turbo Channel, Kanal 10 dhe Radio 10.

Gjithashtu, në kuadër të çështjeve të licencimit, komisioni do të shqyrtojë rekomandimet për përshtatjen e formateve programore të Radio 7, Radio 7 Kosova dhe Radio Ferizaj, si dhe kërkesën për zhvendosjen e lokacionit të Radio Okarinës, siç raporton RTKlive.

Në rendin e ditës është përfshirë edhe një kërkesë për leje për transmetim eksperimental.

Një pjesë e rëndësishme e mbledhjes do t’i kushtohet rasteve ligjore që kanë të bëjnë me zbatimin e kushteve dhe rregulloreve të KPM-së. Në mesin e tyre janë rastet e A2CNN Kosova dhe Kristal TV, si dhe ankesat e paraqitura nga Radio Dukagjini dhe Radio Fontana kundër Radio Klan Kosova FM-Deçanit.

Komisioni do të trajtojë po ashtu rastet e mediave që nuk kanë paguar tarifën e licencës.

Në listën e mediave që kanë mospagesa të tarifës së licencës përfshihen: TV Zoom, ISP Broadcast, Klina TV, Opentel, TV Arta, Radio 24, TV Koha Vision, TV Liria, Radio Dukagjini, Radio Energji, Radio Kent FM 2, Radio Shqip FM, Rahovec Chanel, TV Opinion, TV Prizren, TV Vali dhe TVR.

Sipas agjendës, do të shqyrtohen edhe çështje të ndryshme, duke përfshirë raportin e auditimit të performancës dhe caktimin e datës së mbledhjes së ardhshme.


Shtuar më 12.10.2026 07:35

Quantcast