Kallëzohet penalisht 37-vjeçari që kreu manovra të rrezikshme me motoçikletë në bulevardin “Aradhet Partizane” në Shkup

Pas publikimit të një videoje më 10.10.2026 në disa portale dhe media elektronike, ku shfaqej një person duke drejtuar një motoçikletë “Suzuki” vetëm mbi një rrotë në bulevardin “Aradhet Partizane”, pranë kryqëzimit me rrugën “29 Nëntori”, autoritetet kanë ndërmarrë masa për identifikimin e tij. Manovrat e kryera në disa raste rrezikonin drejtuesin e motoçikletës dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion.

Të lidhura

None found

Njësia për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor pranë SPB Shkup, në bashkëpunim me sistemin “Qyteti i Sigurt”, ka konstatuar se bëhej fjalë për një motoçikletë “Suzuki” me targa të Shkupit, e cila më 03.10.2026 ishte drejtuar nga një person mashkull në këtë bulevard.

Sipas MPB-së, fillimisht është marrë në pyetje pronari i motoçikletës, ndërsa më pas edhe përdoruesi i saj. Ky i fundit ka deklaruar se më 03.10.2026 motoçikletën e kishte përdorur A.A. (37) nga Shkupi.

Gjatë bisedës me policinë, A.A. ka pranuar se më 03.10.2026 e kishte drejtuar motoçikletën “Suzuki” në bulevardin “Aradhet Partizane”, ndonëse nuk posedonte patentë shoferi. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se disa video i kishte publikuar në profilin e tij në rrjetin TikTok.

Për rastin është informuar prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike Shkup. Ndaj A.A. do të paraqitet kallëzim penal në bazë të nenit 297-a të Kodit Penal, për “drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik”, si dhe nenit 298 të Kodit Penal, për “rrezikim të sigurisë së komunikacionit me veprim a mjet të rrezikshëm”, njofton policia./Telegrafi/


Shtuar më 12.10.2026 08:17

Quantcast