“Nëse humbas motivimin, nuk dua të luaj më”/ Ronaldo flet për objektivin e 1000 golave: Edhe me 930 rrjeta, jam më i miri në histori

12/10/2026 09:05

Cristiano Ronaldo ka folur për objektivin e arritjes së 1000 golave në karrierë, duke theksuar se nuk dëshiron që e ardhmja e tij të përcaktohet nga një shifër. Në një intervistë për CNN Portugal, ylli portugez u shpreh se preferon të përqendrohet te e tashmja dhe të lejojë që gjërat të ndodhin natyrshëm.

Sulmuesi portugez mendon se vëmendja e madhe ndaj numrit të golave që i nevojiten për të arritur kuotën historike po lë në hije atë që po bën aktualisht në fushë. Sipas tij, tifozët janë të përqendruar te numërimi mbrapsht drejt 1000 golave, në vend që të shijojnë paraqitjet dhe golat e tij në këtë periudhë.

Ronaldo pranon se kjo vëmendje mund të vijë nga admirimi dhe dëshira e tifozëve për ta parë të arrijë një tjetër rekord, por thekson se nuk dëshiron të ndikohet nga presioni i shifrave.

“Gjërat duhet të ndodhin natyrshëm. Edhe nëse shënoj 920, 925 apo 930 gola, unë jam më i miri në histori, pikë dhe mbaroi. Nuk ka diskutim”, u shpreh Ronaldo gjatë intervistës.

Gjatë bisedës, Ronaldo u pyet nëse mendon se do të arrijë shifrën e 1000 golave në karrierë. Portugezi nuk dha një përgjigje të prerë, duke nënvizuar se kjo nuk është ajo që e motivon të vazhdojë të luajë.

Ai theksoi se, nëse arrin këtë shifër, do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm, por nuk dëshiron ta kthejë atë në objektivin kryesor të karrierës së tij.

“Për golat flasin vetë shifrat. Prandaj nuk do të them se duhet të arrijë 1000 gola. Nëse i arrij, fantastike! Por nuk është objektivi im”, deklaroi ylli portugez.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e intervistës lidhej me të ardhmen e tij në futboll. Ronaldo pranoi se nuk planifikon shumë larg, pasi motivimi për të vazhduar karrierën është faktori që do të përcaktojë vendimin e tij.

Sulmuesi bëri të qartë se dëshiron të shijojë momentin aktual dhe nuk mund të parashikojë se si do të ndihet në të ardhmen.

“Unë nuk mendoj për një të ardhme të largët. Mendoj për momentin, për të tashmen, sepse nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër. Nëse zgjohem një ditë pa motivim, nuk dua të luaj më”, u shpreh Ronaldo.

Në këtë mënyrë, portugezi la të kuptohet se vazhdimi i karrierës së tij nuk do të varet vetëm nga rekordet apo numri i golave, por mbi të gjitha nga dëshira për të luajtur dhe motivimi që do të ketë për të konkurruar në nivelet më të larta.

Top Channel