Një aksident rrugor u regjistrua në mbrëmje në aksin Berat–Ura e Kuçit, në fshatin Poshnje, ku një automjet përplasi një 40-vjeçar që po lëvizte me biçikletë dhe më pas u largua nga vendngjarja.
I plagosuri, E.S., u gjet i shtrirë në rrugë nga kalimtarë të rastit, të cilët njoftuan policinë dhe shërbimet e Urgjencës.
Me autoambulancë u dërgua drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku mori ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të plagëve, më pas, 40-vjeçari u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të mëtejshëm.
Policia kreu veprimet e para hetimore për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, u sekuestruan pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe banesave përgjatë aksit rrugor, me qëllim identifikimin e automjetit që shkaktoi aksidentin dhe kapjen e drejtuesit. Hetimet vijojnë.