Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

7 muaj në krye të Burgjeve, Adriatik Kupi jep dorëheqjen: Janë hedhur shumë gurë mbi punën time, koha do të flasë më qartë

Shkruar nga Newsbomb
7 muaj në krye të Burgjeve, Adriatik Kupi jep dorëheqjen:
Adriatik Kupi

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas shtatë muajve në krye të institucionit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Kupi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka njoftuar vendimin për t’u larguar nga kjo detyrë.

Në postimin e tij, ai është shprehur se periudha shtatë-mujore ka qenë e vështirë me probleme që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme dhe vendime të rëndësishme. Po ashtu Kupi ka bërë të ditur se është përpjekur që t’i përballojë me angazhimin maksimal, duke pasur gjithmonë parasysh njerëzit dhe institucionet. 

Gjithashtu ai në postim ka përmendur kritikat dhe kundërshtimet me të cilat është përballur gjatë ushtrimit të detyrës, duke theksuar se është përpjekur t'i dëgjojë ato dhe të vijojë punën përballë pengesave.

“Kritikën jam përpjekur ta dëgjoj, edhe kur ka qenë e vështirë. Përballë pengesave, kemi vazhduar të punojmë. Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot,” thekson ai në postim.

Postimi i plotë:

Pas shtatë muajsh në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kam vendosur të jap dorëheqjen nga kjo detyrë.

Për mua kjo nuk ishtë një përiudhë e lehtë, pasi kishte probleme që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme, vendime të vështira që duheshin marrë dhe përgjegjesi që nuk mund të shtyheshin as me minuta. Jam përpjekur t’i përballoj me angazhim maksimal, duke pasur gjithmonë parasysh njerëzit dhe institucionet për të cilat mbaja përgjegjësi.

Gjatë këtyre muajve, puna ime është përqendruar në forcimin e sigurisë, përmirësimin e administrimit dhe modernizimin e sistemit penitenciar. Përparësi kanë qenë rritja e përgjegjshmërisë, mbështetja e profesionalizmit të punonjësve dhe përmirësimi i kushteve të trajtimit të personave që vuajnë dënimin.

Besoj se një sistem penitenciar modern matet edhe me mënyrën se si i trajton njerëzit, me respektimin e të drejtave të tyre, me transparencën dhe me mundësitë reale që u jep për t’u rehabilituar e për t’u rikthyer në shoqëri. Kjo ka qenë bindja që më ka udhëhequr në këtë detyrë.

Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë.

Kritikën jam përpjekur ta dëgjoj, edhe kur ka qenë e vështirë. Përballë pengesave, kemi vazhduar të punojmë. Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot.

Sot largohem me mirënjohje për të gjithë ata që punuan me mua, që ndanë përgjegjësitë dhe që i qëndruan pranë kësaj pune deri në fund. E di se sa përkushtim kërkon puna e përditshme në këtë sistem dhe e vlerësoj kontributin e secilit.

Falënderoj Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë të veçantë ministrin Z. Toni Gogu për besimin dhe bashkëpunimin, drejtuesit dhe punonjësit e sistemit penitenciar, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët, për mbështetjen dhe kontributin gjatë kësaj periudhe.

Largohem nga detyra me respekt për përgjegjësinë që më është besuar dhe me dëshirën që puna e nisur të vijojë në shërbim të një sistemi penitenciar më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzor.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese