Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Arrameras të Fushë-Krujës, ku humbi jetën 16-vjeçari Enes Isaku.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri ndodhej në ashensor për të zbritur në katin e parë të restorantit, kur një shaka mes tij dhe një kamarieri tjetër përfundoi në tragjedi.
Enes Isaku dhe kolegu i tij, 26 vjeç Endri Stafuka, po bënin shaka me njëri-tjetrin në momentin kur 16-vjeçari hyri në ashensor për të zbritur në katin e parë të lokalit.
Gjatë këtij momenti, kamarieri tjetër dyshohet se e ka shtyrë me duar dhe ka shtypur butonin e ashensorit, me qëllim që kolegu i tij të zbriste poshtë.
Por situata mori një kthesë tragjike. Në atë moment, ashensori pësoi shkëputje dhe 16-vjeçari u përplas me kokë në pllaka, duke humbur jetën.
Sipas të dhënave paraprake, shkëputja e menjëhershme e ashensorit rrezikoi edhe jetën e kamarierit tjetër, i cili tashmë është arrestuar nga policia.
Një tjetër detaj që po hetohet është fakti se vetëm pak çaste para ngjarjes, ashensorin e kishte përdorur edhe pronari i restorantit, Afrim Vathi, i cili është gjithashtu gjyshi i viktimës 16-vjeçar.
Policia arrestoi 26-vjeçarin, i dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”, si dhe 62-vjeçarin Afrim Vathi, për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë dhe fshehje të të ardhurave.














