Air Transat rikthehet në Tiranë më 8 maj 2027, me frekuenca të shtuara gjatë sezonit veror

Tiranë, 11 tetor 2026 – Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njofton rikthimin e Air Transat më 8 maj 2027, me fluturime direkte ndërmjet Tiranës dhe Torontos dhe frekuenca të shtuara gjatë sezonit veror.
Sipas kalendarit të fluturimeve për vitin 2027, Air Transat do të nisë operimet më 8 maj, me një fluturim në javë, çdo të shtunë. Duke filluar nga 22 qershori, frekuencat do të rriten në dy fluturime javore, çdo të martë dhe të shtunë, duke vijuar gjatë muajve korrik dhe gusht. Nga muaji shtator, kompania do të rikthehet me një fluturim në javë, çdo të shtunë, me operime të planifikuara deri më 23 tetor 2027.
Skeduli i fluturimeve për sezonin 2027 paraqitet në tabelën e mëposhtme:

Ky zgjerim vjen pas sezonit të parë të operimeve, i cili nisi më 19 qershor dhe u përmbyll më 9 tetor 2026. Linja e parë direkte ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë shënoi një moment të rëndësishëm për lidhjet ajrore ndërkontinentale, duke krijuar mundësi të reja udhëtimi për diasporën shqiptare, turistët ndërkombëtarë dhe pasagjerët e rajonit.

Rritja e frekuencave gjatë sezonit veror 2027 do të ofrojë më shumë fleksibilitet për pasagjerët dhe do të kontribuojë në forcimin e lidhjeve ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë, duke mbështetur njëkohësisht zhvillimin e turizmit dhe pozicionimin e TIA-s si një portë hyrëse e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor.
Biletat për fluturimet e sezonit 2027 janë të rezervueshme përmes faqes zyrtare të Air Transat: https://www.airtransat.com.

Përmbyllja e sezonit të parë të Air Transat nuk shënon fundin e kësaj lidhjeje, por fillimin e një bashkëpunimi me perspektivë afatgjatë për zhvillimin e mëtejshëm të transportit ajror ndërmjet Shqipërisë dhe Amerikës së Veriut.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës falënderon Air Transat për bashkëpunimin gjatë sezonit të parë, si dhe të gjithë pasagjerët që zgjodhën këtë linjë. TIA mirëpret rikthimin e kompanisë në vitin 2027 dhe vijimin e bashkëpunimit për zgjerimin e mundësive të udhëtimit ndërmjet dy vendeve.