Shqipëria dhe Izraeli nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, Hoxha pret në takim homologun Gideon Sa’ar
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti paraditen e sotme në një vizitë zyrtare në Tiranë homologun e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Sa’ar.
Të dy ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Izraelit nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, që synon zgjerimin e partneritetit në ekonomi, teknologji, energji, siguri, turizëm dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Izraelit, si dhe zhvillimet e sigurisë rajonale dhe globale, ishin në fokus të takimit mes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Hoxha, dhe homologut të tij izraelit, Gideon Sa’ar.
Gjatë takimit, palët diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe kontributin e Shqipërisë në kuadër të Bordit të Paqes.
Ministri Hoxha vuri në dukje se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit mbështeten në një histori të veçantë miqësie, respekti dhe solidariteti, e cila përbën një bazë të qëndrueshme për thellimin e mëtejshëm të partneritetit dypalësh.
Një nga momentet kryesore të vizitës ishte nënshkrimi i Marrëveshjes për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila synon të krijojë një kuadër të strukturuar për zhvillimin e marrëdhënieve ndërqeveritare dhe realizimin e projekteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë.
Marrëveshja parashikon bashkëpunim në ekonomi dhe tregti, inovacion dhe teknologji, bujqësi, menaxhimin e ujërave, energji, shëndetësi, arsim, siguri, turizëm dhe kulturë.
Turizmi u veçua si një prej sektorëve më premtues të marrëdhënieve mes dy vendeve, pas zhvillimeve pozitive të regjistruara gjatë viteve të fundit.
Në aspektin e sigurisë, ministri Hoxha rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për sigurinë e Izraelit, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e përpjekjeve për një zgjidhje që garanton paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin.
Takimi shërbeu gjithashtu për të riafirmuar qëndrimin e Shqipërisë kundër terrorizmit, ekstremizmit, antisemitizmit dhe çdo forme të urrejtjes.
Në kuadër të vizitës, ministri izraelit Gideon Sa’ar vizitoi një ekspozitë arkivore që dokumenton traditën e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo trashëgimi historike u vlerësua si një dëshmi e rëndësishme e solidaritetit dhe humanizmit të shqiptarëve.
Në përfundim, të dy ministrat theksuan rëndësinë e vijimit të dialogut politik dhe forcimit të koordinimit në të gjitha nivelet, me synimin për të thelluar më tej partneritetin mes Shqipërisë dhe Izraelit.

