Anija pësoi dëmtime në anën e majtë, por ekuipazhi nuk ka pësuar lëndime dhe nuk është raportuar ndotje detare. Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa anijet që lundrojnë në zonë paralajmërohen për rrezik të shtuar.
Një tjetër incident sulmi ndaj një anijeje tregtare është regjistruar në Ngushticën e Hormuzit, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e lundrimit në një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.
Sipas një raportimi të përcjellë te UK Maritime Trade Operations (UKMTO), shërbimi britanik që monitoron sigurinë e lundrimit detar, një cisternë nafte që po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit, në drejtim të daljes nga Gjiri Persik, është goditur nga një predhë me origjinë të panjohur.
Sipas përgjegjësit të sigurisë së kompanisë administruese të anijes, predha goditi anën e majtë të cisternës, duke shkaktuar dëme materiale.
Pavarësisht incidentit, të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt. Gjithashtu, në momentin e raportimit fillestar nuk ishte konstatuar ndonjë ndikim në mjedisin detar.
Autoritetet përkatëse kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sulmit. Deri më tani, nuk është përcaktuar origjina e predhës dhe as nëse bëhet fjalë për një raketë, një dron apo një lloj tjetër sistemi armatimi.
© SYRI.net