Eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës bien ndesh me detyrimet themelore të vendit ndaj BE-së e nuk janë të pranueshme.
Para takimit të sotëm të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Kos kritikoi ndryshimin e rregullave ligjore ndërsa zhvillohen proceset gjyqësore.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme.
Sipas zyrtares europiane, ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi europian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së.
Deklarata e Kos-it vjen pasi javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në ligjin që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale.
Ndryshimet u propozuan nga Partia Demokratike e Kosovës, pesë ditë pas vendimit të 16 shtatorit, kur Dhomat e Specializuara dënuan me 81 vjet burg për krime lufte, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Ish-krerët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.
Ndryshimet ligjore synojnë të kufizojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke ngushtuar periudhën kohore dhe kategoritë e veprave penale që mund të trajtojnë.
Ndër të tjera, parashikojnë uljen e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, mundësinë e ankimimit në Gjykatën Supreme të Kosovës, si dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.