Po renditet si destinacioni i preferuar në botë për muajin e mjaltit luksoz për vitin 2027, duke lënë pas Balin, Maldivet, Italinë dhe Polinezinë Franceze. Po flasim për Greqinë fqinje që ka marrë kryesimin nga Italia, që ishte në krye, një vit më parë.
Sipas Greek Reporter, renditja bazohet në raportin vjetor Luxe Report të rrjetit ndërkombëtar të udhëtimeve luksoze Virtuoso, i cili mbështetet në vlerësimet e më shumë se 3,100 këshilltarëve të udhëtimit në mbarë botën.
Raporti analizon preferencat e klientëve dhe tendencat e reja të turizmit luksoz. Por, rezultatet pasqyrojnë vlerësimet e profesionistëve të industrisë dhe jo numrin real të udhëtimeve të realizuara.
Në renditjen për 2026-ën, Greqia mbante vendin e dytë, pas Italisë, ndërsa Bali renditej i treti, i ndjekur nga Maldivet dhe Polinezia Franceze.
Udhëtimet për raste të veçanta nxisin turizmin luksoz
Sipas raportit, festimi i ngjarjeve të rëndësishme personale mbetet një nga arsyet kryesore të udhëtimeve luksoze. Përvjetorët, ditëlindjet dhe muajt e mjaltit po nxisin kërkesën për përvoja ekskluzive, privatësi dhe shërbime të personalizuara.
Turistët me të ardhura të larta po preferojnë gjithnjë e më shumë jahte private, struktura akomoduese të izoluara, transferta individuale, gastronomi të personalizuar dhe akses ekskluziv te guidat turistike apo specialistët e mirëqenies.
Këto tendenca përforcojnë pozicionin e Greqisë në segmentin e turizmit luksoz, veçanërisht falë ishujve dhe ofertës së saj për pushime romantike.
Greqia e katërta në renditjen e përgjithshme
Megjithëse kryeson për muajin e mjaltit, Greqia renditet e katërta në listën e destinacioneve të preferuara për turizmin luksoz për vitin 2027.
Japonia kryeson renditjen e përgjithshme, e ndjekur nga Italia dhe Franca, ndërsa Spanja mbyll pesëshen e parë.
Krahasuar me vitin 2026, Greqia ka humbur një pozicion, pasi më parë renditej e treta, pas Italisë dhe Japonisë.
Ishujt grekë ruajnë gjithashtu vendin e tretë ndër destinacionet më të preferuara për udhëtimet me anije turistike, pas Mesdheut dhe Alaskës. Ndërkohë, Athina renditet e gjashta ndër qytetet e preferuara për vitin 2027, pas Tokios, Kiotos, Barcelonës, Parisit dhe Romës.
Pritet rritje e kërkesës dhe shpenzimeve
Perspektiva për turizmin luksoz mbetet pozitive. Rreth 53% e këshilltarëve të udhëtimit presin një rritje të lehtë të kërkesës gjatë vitit 2027, ndërsa 22% parashikojnë rritje të ndjeshme.
Paralelisht, 59% e tyre presin rritje të moderuar të shpenzimeve për çdo udhëtim, ndërsa 13% parashikojnë rritje të konsiderueshme.
Këto pritshmëri tregojnë se turistët e segmentit luksoz po orientohen drejt përvojave më të personalizuara dhe janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë për privatësi, komoditet dhe shërbime ekskluzive./Monitor