Tre personat e arrestuar në kuadër të operacionit policor “Detajet” në Lezhë, të dyshuar se po përgatiteshin të kryenin një vrasje, do të qëndrojnë në burg. Elden Tarja, Kristian Ymeri, i njohur me nofkën “Shkambi”, dhe Vinçens Piroli u njohën këtë të hënë me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës. Seanca gjyqësore e cila u zhvillua nën masa sigurie zgjati rreth 90 minuta dhe sipas burimeve tre të dyshuarit nuk kanë dhënë deklarime para togave të zeza.

Në përfundim, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, si dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”. 

Ndërkohë, sipas burimeve, ndaj tyre ka dyshime për përfshirje edhe në tri ngjarje të tjera kriminale, të dyshuara si vrasje me pagesë.

Ata dyshohen se kanë ekzekutuar Artan Myrtajn në Sarandë, i njohur si 'Tani i Ruzhdiut', si dhe dy vrasje të tjera, një në qarkun e Shkodrës dhe një në Mirditë.

Vinçesk Piroli, 38 vjeç, dyshohet të jetë ekzekutori kryesor në këto ngjarje.

Piroli dhe Ymeri, 34 vjeç, u arrestuan teksa po lëviznin të armatosur dhe me skafandra në një motomjet të vjedhur në Suedi, ndërsa Tarja, 25 vjeç dyshohet se do t’i ndihmonte të largoheshin me automjet pas kryerjes së krimit. Gjatë operacionit u sekuestruan tri pistoleta, municion luftarak, motomjeti dhe automjeti tip “Volksëagen”.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë