George Clooney “godet” Trumpin dhe bën njoftimin e papritur për karrierën!

12 Tetor 2026, 11:53Lifestyle TEMA
George Clooney “godet” Trumpin dhe bën njoftimin e papritur

Aktori i njohur amerikan George Clooney ka zbuluar se nuk planifikon të drejtojë më filma, duke shpjeguar se në këtë fazë të jetës dëshiron t’i kushtojë më shumë kohë familjes së tij.

Gjatë Festivalit të Filmit në Venecia, ku u nderua me çmimin “Luani i Artë” për karrierën, 65-vjeçari tregoi se regjia kërkon angazhim të gjatë dhe e bën të vështirë qëndrimin pranë fëmijëve të tij, binjakëve Alexander dhe Ella, të cilët i ka me bashkëshorten Amal Clooney.

“Arsyeja e vetme pse nuk po drejtoj filma, gjë që e dua shumë, është se kam dy fëmijë nëntëvjeçarë”, u shpreh aktori, duke shpjeguar se xhirimet e një filmi mund ta mbajnë larg familjes për rreth një vit, ndërsa angazhimet si aktor zakonisht zgjasin më pak.

Clooney, megjithatë, nuk i shmangu as komentet politike. Gjatë qëndrimit në Venecia, ai kritikoi situatën në Shtetet e Bashkuara dhe përdori termin “kakistokraci”, që nënkupton një sistem të drejtuar nga njerëz të papërshtatshëm ose më pak të kualifikuar për të qeverisur.

“Besoj se ndoshta po jetojmë në një kakistokraci, por do t’ia dalim”, deklaroi aktori, në një koment të interpretuar si kritikë ndaj administratës së Donald Trump.

Clooney, i cili prej vitesh është shprehur hapur për çështjet politike në SHBA, theksoi gjithashtu rëndësinë e gazetarëve dhe artistëve në një kohë kur, sipas tij, njerëzit me pushtet përpiqen të ndikojnë në mënyrën se si publiku e sheh botën.

Pavarësisht se po largohet nga regjia, aktori nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kinemaja. Ai tha se po shijon më shumë punën si aktor, pasi i jep mundësinë të vazhdojë karrierën pa sakrifikuar kohën me familjen.

Burimi: People

 

Lini një Përgjigje