“Produkte me çmime të pandryshuara deri më 12 janar”, Rama prezanton “Pasqyrë Albania”: Gjoba për subjektet që abuzojnë

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në prezantimin e platforms “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismës “KURSE”, që synojnë rritjen e transparencës në treg dhe lehtësimin e shpenzimeve të familjeve shqiptare.
Gjatë prezantimit, Rama bëri të ditur se një sërë artikujsh do të kenë çmime të arsyeshme dhe të pandryshueshme deri më 12 janar të vitit të ardhshëm.
Kreu i qeverisë tha se kjo nismë synon të shkojë përtej ndarjes tradicionale mes shitësit dhe blerësit, duke krijuar më shumë mundësi për qytetarët që përballen me vështirësi ekonomike.
“Duhet bërë një hap përtej asaj vije tradicionale ndarëse mes atij që shet dhe atij që blen dhe duhet gjetur një rrugë për të ofruar një mundësi më shumë për njerëzit që kanë më shumë vështirësi”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se marrëveshja me pesë subjektet e rëndësishme të tregtisë ushqimore përbën pikënisjen e një procesi që synon të zgjerohet më tej, duke përfshirë edhe biznese më të vogla dhe pikat e shitjes me pakicë.
Sipas Ramës, objektivi është që nismës t’i bashkohen sa më shumë aktorë të tregut, në mënyrë që përfitimet të shtrihen te një numër më i madh konsumatorësh.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri iu përgjigj edhe thirrjeve për ndërhyrjen e qeverisë në përcaktimin e çmimeve, duke argumentuar se Shqipëria ka zgjedhur një sistem të ekonomisë së tregut, ku çmimet përcaktohen nga konkurrenca.
“Ka shpesh thirrje ndaj nesh që të vendosim çmime. Këtë e kemi të pamundur ta bëjmë, sepse kemi bërë një zgjedhje të gjithë bashkë si popull në vitin 1990, kur jemi ndarë nga një sistem që i vendoste çmimet dhe tani i vendos konkurrenca e lirë”, deklaroi Rama.
Sipas tij, konkurrenca e lirë dhe e ndershme përbëjnë bazën e kësaj nisme, e cila synon bashkëpunimin mes qeverisë dhe bizneseve, pa cenuar mekanizmat e tregut.
Rama u ndal edhe te praktikat e shitjes me pakicë, duke theksuar se në disa raste çmimet mund të pësojnë luhatje të pajustifikuara. Ai përmendi se legjislacioni parashikon gjoba në rastet kur konstatohen shkelje që lidhen me spekulimin e çmimeve.
Kryeministri tha se qeveria do të vijojë të bëjë thirrje për mirëkuptim dhe përfshirje të sa më shumë bizneseve në këtë nismë.
Ndërkohë, platforma “Pasqyra e Çmimeve” synon t’u japë konsumatorëve mundësinë të krahasojnë çmimet e produkteve dhe të informohen më lehtë për ofertat në treg, ndërsa nisma “KURSE” synon të mbështesë familjet përmes një marrëveshjeje për çmime të qëndrueshme për një grup artikujsh.
Përmes këtyre dy instrumenteve, qeveria synon të rrisë transparencën, të nxisë konkurrencën mes tregtarëve dhe të lehtësojë shpenzimet e përditshme të qytetarëve.




