
Njëzet e një organizata ndërkombëtare dhe turke për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit, përfshirë BIRN-in, kanë publikuar një deklaratë të përbashkët ku dënojnë përshkallëzimin e censurës së internetit në Turqi dhe u bëjnë thirrje kompanive të rrjeteve sociale që të mos zbatojnë më urdhrat joproporcionalë për bllokimin e përmbajtjeve.
“I bëjmë thirrje qeverisë turke që të ndalojë menjëherë përdorimin e urdhrave të bllokimit dhe masave të tjera kufizuese që shkelin të drejtën e lirisë së shprehjes, si dhe të sigurojë që çdo kufizim i përmbajtjeve në internet të jetë plotësisht në përputhje me detyrimet e Turqisë sipas së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, deklaruan organizatat.
Letra përmbante gjithashtu një mesazh për kompanitë e rrjeteve sociale që zbatojnë vendimet e gjykatave dhe të qeverisë turke.
“U bëjmë thirrje platformave të rrjeteve sociale që të ndërmarrin menjëherë hapa konkretë për të përmbushur përgjegjësitë e tyre në fushën e të drejtave të njeriut dhe të shmangin kontributin në shtypjen e mediave të pavarura dhe shkeljen e së drejtës për lirinë e shprehjes”, thanë organizatat.
Deklarata, e nënshkruar nga ARTICLE 19, Human Rights Watch, Shoqata për Lirinë e Shprehjes, IFOD, BIRN dhe organizata të tjera, nxori në pah përmasat e kufizimeve të vendosura gjatë muajit shtator.
Sipas të dhënave të IFOD, javët e fundit autoritetet turke kanë urdhëruar bllokimin e aksesit në të paktën 1,270 llogari në platformën X, të cilat së bashku ndiqen nga 35 milionë përdorues. X ka zbatuar të paktën 90 për qind të këtyre urdhrave, duke kufizuar aksesin në llogaritë përkatëse brenda territorit të Turqisë.
Llogaritë e synuara u përkisnin gazetarëve, akademikëve, organizatave LGBTQ+, grupeve për të drejtat e grave dhe mediave të pavarura.
Organizatat vunë në dukje edhe bllokimin e faqes së pavarur të lajmeve T24, llogaria e së cilës në X kishte 1,9 milionë ndjekës.
Një gjykatë iu referua 118 artikujve që pretendohej se cenonin strukturën familjare turke dhe ndikonin negativisht në zhvillimin e të rinjve për sa i përket orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
Nënshkruesit e deklaratës thanë se urdhri nuk shpjegonte pse bllokimi i të gjithë faqes së internetit ishte i nevojshëm apo proporcional.
Shumica e kufizimeve u vendosën në bazë të nenit 8/A të Ligjit të Turqisë për Internetin, i cili u lejon autoriteteve të bllokojnë përmbajtje në internet për arsye që përfshijnë sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Organizatat paralajmëruan se ndryshimet e fundit ligjore, të cilat i transferojnë kompetencat për bllokimin e përmbajtjeve te Drejtoria e Sigurisë Kibernetike, e lidhur me Presidencën, mund ta përqendrojnë edhe më tej censurën në duart e pushtetit qendror.
Ato kritikuan X dhe Meta-n për mungesën e shpjegimeve lidhur me mënyrën se si u janë përgjigjur urdhrave të bllokimit. “As X dhe as Meta nuk kanë dhënë shpjegime publike për reagimin e tyre ndaj valëve të censurës gjatë periudhës shtator-tetor”, thuhet në deklaratë.
Deklarata vjen në një kohë kur po shtohet presioni ndaj gazetarëve që raportojnë për skandalin e fondit të investimeve në Turqi, ku përfshihen figura të larta të qeverisë.
Më 10 tetor, gazetarët Mustafa Balci dhe Saban Sevinc u arrestuan nën akuzat për përhapjen e informacioneve mashtruese lidhur me hetimin.
Dy gazetarët e tjerë, Ismail Saymaz dhe Murat Agirel, fillimisht u lanë të lirë me detyrimin për t’iu nënshtruar masave të kontrollit gjyqësor, por pas ankimit të prokurorisë, ata u vendosën në arrest shtëpie.







