Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te presioni mbi ekonominë dhe rritja e kostove.
Ai u shpreh se në këto kushte bizneset duhet të shohin përtej fitimit të përditshëm dhe të tregojnë më shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Rama paralajmëroi gjithashtu se ligji parashikon gjoba në rastet kur konstatohet spekulim me çmimet.
Sipas tij, përpjekja për të rritur transparencën duhet të jetë e vazhdueshme, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të informohen dhe të verifikojnë vetë të dhënat.
““Sot është një kohë kur duhet parë përtej fitimit ditor dhe respekti për qytetarin materializohet dhe në formën e vetëdijes. Në kushtet e presionit të përgjithshëm mbi ekonominë, që s’ka të bëjë fare me arsye të brendshme, por ka përfshirë mbarë botën për shkak të rritjes së kostove në tërësi, janë karakteristikë e të gjitha vendeve.
Duhet bërë një hap përtej asaj vije, për atë që shet dhe atë që blen. Duhet gjetur një rrugë për të ofruar një mundësi më shumë për njerëzit që kanë më shumë mundësi.
Tashmë në këtë platformë do të prezantohen shumë oferta, por deri në një vit do të ketë 1 mijë artikuj me ulje. Ligji parashikon dhe gjobë në rast se ato çmime janë spekulim. Përpjekja jonë do të jetë në mënyrë të vazhdueshme, mirëkuptimi.
Duam ta çojmë në një nivel tjetër transparencën në çdo sektor dhe në çdo marrëdhënie mes qytetarëve, shtetit dhe sipërmarrjeve, në mënyrë që të gjithë të shohin me sytë e tyre faktet dhe të vërtetat e jetës së përditshme.
Është mbushur jeta jonë me shumë pasqyra që i kemi të gjitha te sipërfaqja digjitale e telefonit. Çfarë nuk na del para dhe çfarë s’dëgjojmë, dhe shpeshherë biem pre e manipulimeve, e gënjeshtrave dhe gjysmë të vërtetave të gënjeshtrave më të mëdha. Krijimi i kësaj platforme, ku shteti është i aksesueshëm, ku njihesh me fakte, jo me fjalë dhe retorikë, është i domosdoshëm në këtë kohë.”, tha Rama.














