Tirana dominon formacionin e javës, ndërsa Egnatia dhe Vllaznia kontribuojnë me nga dy lojtarë

Java e 6-të e “Abissnet Superiore” u mbyll të dielën me tri përballjet e fundit: Egnatia fitoi 1-2 ndaj Laçit, Tirana triumfoi 1-3 në derbin kundër Partizanit, ndërsa Vllaznia regjistroi suksesin minimal 1-0 ndaj Dinamos në Shkodër. Në bazë të paraqitjeve individuale gjatë të gjitha ndeshjeve, “Newsport” ka përzgjedhur formacionin më të mirë të javës, së bashku me trajnerin që spikati më shumë.

Të lidhura

None found

Paul Bernandoni (TEUTA) – Portieri i Teutës ishte vendimtar në fitoren 2-0 ndaj Skënderbeut në Durrës. Ai ndali një penallti që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e takimit dhe do ta vështirësonte ndjeshëm detyrën e skuadrës vendase. Me paraqitjet e tij, Bernandoni po dëshmon vazhdimisht se është në nivelin e duhur dhe se përbën një afrim shumë të goditur në merkato.

Ardit Toli (TEUTA) – Mbrojtësi durrsak ishte i saktë në detyrat e tij në prapavijë, por u shfaq shpesh edhe në fazën ofensive, duke ndërtuar aksione dhe duke bashkëpunuar me shokët e skuadrës. Në krahun e djathtë menaxhoi mirë hapësirat dhe u kthye në një pikë të rëndësishme të repartit mbrojtës sa herë që skuadra duhej të reagonte.

Bojan Ilievski (TIRANA) – Përveçse ndihmoi në ndalimin e kundërsulmeve të Partizanit, Ilievski shënoi edhe një nga golat e fitores së Tiranës. Ai u shkëput mirë nga mbulimi i mbrojtësve të kuq dhe mposhti portierin Qirko, duke çuar rezultatin në 2-1.

Emiljano Musta (VLLAZNIA) – Vllaznia ruajti portën të paprekur në fitoren 1-0 ndaj Dinamos dhe Musta pati një rol të rëndësishëm në këtë sukses. Ai neutralizoi rrezikun e krijuar nga aksionet e dinamovitëve dhe kontribuoi drejtpërdrejt në marrjen e tri pikëve të para të sezonit për shkodranët.

Basilio Ndong (TIRANA) – Nga krahu i majtë, Ndong u përfshi në mënyrë të vazhdueshme në aksionet e Tiranës, duke tentuar pasime drejt repartit ofensiv dhe duke krijuar rrezik. Në triumfin 1-3 ndaj Partizanit ai ishte i sigurt në mbrojtje, ndërsa aftësia për të ndihmuar edhe në sulm e bëri një element të vlefshëm për bardheblutë.

Albano Aleksi (EGNATIA) – Kapiteni i Egnatias vijon të jetë një figurë me fat për ekipin rrogozhinas. Ai ndërhyri me saktësi për të ndërprerë aksionet kundërshtare në mesfushë, ndërsa bashkëpunimi me pjesën tjetër të skuadrës ndihmoi në kontrollin e linjave dhe në krijimin e aksioneve të rrezikshme.

Armir Boriçi (ELBASANI) – Në barazimin 1-1 me Vorën, Boriçi dha një pasim që në pamje të parë dukej “aksidental”, por që i shërbeu Mazarit për të shënuar golin e parë të ndeshjes. Talenti i verdhebluve zhvilloi një paraqitje shumë të mirë dhe ka përfituar ndjeshëm nga rregulli i ri për aktivizimin e lojtarëve të rinj në Superiore.

Redon Xhixha (TIRANA) – Sulmuesi i Tiranës realizoi një supergol ndaj Partizanit, duke i hapur rrugë paraqitjes së shkëlqyer të bardhebluve në derbin e kryeqytetit. Në një ndeshje me peshë të madhe, Xhixha u shndërrua në një figurë vendimtare dhe ndihmoi ekipin të merrte fitoren.

Karim Loukili (EGNATIA) – Goli i Loukili-t i dha Egnatias barazimin dhe e “çliroi” skuadrën, e cila po humbiste 1-0 ndaj Laçit. Ai gaboi në tentativën e parë nga pika e bardhë, por reagoi menjëherë dhe realizoi në goditjen e dytë të penalltisë. Për trajnerin Nevil Dede, ai mbetet një alternativë e rëndësishme në formacionin titullar.

Bernard Karrica (VORA) – Karrica shënoi sërish për Vorën dhe i siguroi skuadrës së tij një pikë. Goli erdhi në fundin e pjesës së parë, ndërsa sulmuesi vazhdon të konfirmojë peshën e tij në repartin ofensiv të ekipit të Arjan Bellait.

Edon Murataj (VLLAZNIA) – Mesfushori me tipare sulmuese realizoi një eurogol që i dha Vllaznisë fitoren e parë të sezonit ndaj Dinamos, me rezultatin 1-0 në Shkodër. Murataj ishte vendimtar në ndryshimin e rezultateve të skuadrës dhe mbajti të gjalla shpresat e shkodranëve për një ecuri pozitive, duke larguar “hijet e zeza”.

Trajneri fitues – Dejan Klafuriç (TIRANA) – Kroati meriton vlerësimin si trajneri më i mirë i kësaj fundjave. Zgjedhjet taktike rezultuan të sakta dhe i sollën fitoren e parë në derbi, në transfertën ndaj Partizanit. Klafuriç e kishte studiuar mirë kundërshtarin dhe, përmes zëvendësimeve, ndërhyri në kohën e duhur për të siguruar suksesin personal dhe fitoren e ekipit.


Quantcast