Sokol Hoxha, një 51 vjeçar nga Patosi i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve fierakë dhe me burgim të përjetshëm për vrasjen e një gruaje në Belgjikë, ka mbërritur këtë të hënë në Gjykatën e Fierit dhe kërkon lirinë. Ai u ekstradua nga Amerika 26 vjet pas dënimit në mungesë.
51-vjeçari i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 1997 dhe me burgim të përjetshëm nga gjykata belge për vrasjen e Brunilda Dervishit, kërkon të përfitojë nga mekanizmat e së drejtës penale, sikundër është parashkrimi i dënimit.
Ai u kap në SHBA në muajin maj falë bashkëpunimit të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri, Belgjikë dhe SHBA në kuadër të operacionit “Globi”, dhe u ekstradua në Shqipëri më 6 gusht. Sokol Hoxha u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin me 25 vite burg, dhënë në mungesë nga Gjykata e Fierit në vitin 2000.
Mirëpo, teksa kanë kaluar 26 vite nga mosekzekutimi i dënimit penal, ai po kërkon shuarjen e dënimit. Seanca e mbajtur një javë më parë u shty për ditën e sotme për të kërkuar informacion nga Gjykata e Lartë lidhur me vendimmarrjen më të fundit.
Ndërkohë, para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarja Aurora Tusha, prokurorja Malbora Dinaj dhe avokatët Toto Avdija e Rozeta Plaku, Sokol Hoxha do të njihet me vendimin për kërkesën e tij për lirim nga burgu.
