Ministri izraelit në Tiranë: Miqësia shqiptaro-izraelite i ka rrënjët në histori. Shqipëria i shpëtoi hebrenjtë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në ekonomi, siguri, teknologji dhe turizëm.

Në deklaratën e përbashkët pas takimit në Tiranë, ministri Hoxha e cilësoi vizitën një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe, duke theksuar se miqësia historike mes Shqipërisë dhe Izraelit po shndërrohet në një partneritet gjithnjë e më të fortë.

“Sipas të dhënave tona, ju jeni ministri i tretë i Jashtëm i Izraelit që vizitoni Shqipërinë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Mund të themi me plot të drejtë: i treti, i vërteti! Dhe kemi arsye ta themi këtë, sepse, siç sapo ramë dakord, ky moment shënon pikën më të lartë të marrëdhënieve tona. Ai jo vetëm konfirmon miqësinë e kahershme mes dy vendeve tona, por dëshmon edhe për një partneritet në rritje, që po thellohet e forcohet më tej.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sot rikonfirmuam angazhimin tonë të palëkundur, si dhe vullnetin e përbashkët politik dhe dëshirën gjithnjë në rritje për ta forcuar më tej partneritetin tonë.

Sapo nënshkruam Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit. Kjo marrëveshje shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona.

Ajo krijon një mekanizëm të strukturuar përmes të cilit vendet tona do të zgjerojnë bashkëpunimin në disa fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë ekonominë dhe tregtinë, inovacionin dhe teknologjinë, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, energjinë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, turizmin dhe kulturën. Ajo hap mundësi të reja për institucionet tona që të punojnë së bashku dhe të sjellin përfitime të qëndrueshme për qytetarët tanë.

Siguria mbetet një shtyllë kyçe e partneritetit tonë. Shqipëria dhe Izraeli i kushtojnë rëndësi të veçantë luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër antisemitizmit, përballimit të kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të reja ndaj sigurisë kombëtare”, tha Hoxha.

Ndërsa ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, vlerësoi miqësinë historike mes dy vendeve dhe rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit.

“Shqipëria është një vend mik i Izraelit. Miqësia jonë i ka rrënjët në histori. Kur izraelitët përndiqeshin në mbarë Europën, shqiptarët ndihmuan hebrenjtë. Shqipëria ishte i vetmi vend në kontinent që shpëtoi hebrenjtë dhe ne kurrë nuk do e harrojmë këtë gjë.

Kryeministri Rama ka dhënë një mbështetje për komunitetin hebre. Dënimi nga Shqipëria të sulmeve të Hamasit kanë shumë rëndësi për Izraelin. Edhe sot, kur hebrenjtë vijnë në Shqipëri, ata janë të mirëpritur. Falënderoj Shqipërinë për mbështetjen ndaj antisemitizmit dhe dënimet për sulmet ndaj Iranit”, tha ministri izraelit.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?