“Do të rikthehen protestat e vitit 2009, kur e kemi përzënë policinë me gurë.”
Ky ka qenë apeli i banorëve të Orikumit dhe Dukatit, të cilët kanë protestuar sot në zonën e plazhit të Orikumit, duke kundërshtuar ndërtimet që, sipas tyre, rrezikojnë pronat e tyre.
Në qendër të konfliktit janë rreth 700 hektarë tokë në zonën bregdetare të Orikumit. Banorët pretendojnë se këto toka janë në pronësinë e tyre, të përfituara përmes ligjit 7501, ndërsa shprehen se persona të interesuar për të ndërtuar kanë mbërritur në zonë me pretendime mbi pronat.
Gjatë protestës, banorët kanë bllokuar për disa momente rrugën e plazhit të Orikumit, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre të pronësisë. Ata paralajmërojnë se situata mund të përshkallëzohet nëse në zonë do të mbërrijnë fadroma apo mjete të tjera për nisjen e punimeve.
Sipas protestuesve, një ditë më parë në zonë kanë mbërritur persona që synonin të nisnin ndërtimet në tokat që ata pretendojnë se u përkasin. Banorët deklarojnë se nuk do të lejojnë ndërhyrje në pronat e tyre dhe kërkojnë zgjidhjen e konfliktit të pronësisë.
Ndërkohë, mbetet për t’u sqaruar ligjërisht pronësia mbi sipërfaqet e pretenduara, ndërsa banorët paralajmërojnë se do të vijojnë të kundërshtojnë çdo ndërhyrje që, sipas tyre, cenon të drejtat e tyre.
© SYRI.net