238 produkte ushqimore dhe mallra të tjera janë listuar në platformën “Pasqyra e Çmimeve”, ku qytetarët mund të krahasojnë në kohë reale çmimet në rrjetet e ndryshme të supermarketeve. Gjatë prezantimit të platformës, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se 212 prej këtyre produkteve do të shiten me çmime fikse deri më 12 janar 2027. Pesë supermarkete dhe 22 furnitorë do t’i shesin këto produkte me marzhe fitimi minimale.
Platforma mund të përdoret nga çdo telefon celular, ndërsa më vonë do të krijohet edhe një aplikacion që qytetarët mund ta shkarkojnë.
“Janë 238 artikuj të cilët janë të listuar në platformën që ne sot lançojmë online, për 13 kategori të ndryshme produktesh, ndërkohë që këto çmime janë të verifikueshme në 155 pika shitjeje në të gjithë territorin e vendit. 13 kategoritë e produkteve janë përzgjedhur në bazë të atyre produkteve që janë më së shumti të përdorshme në shportën e konsumit të çdo familjeje shqiptare dhe kemi aty brenda sheqer, vaj, miell, drithëra, makarona, fasule, thjerrëza, kos, vezë, gjalpë, pulë. Pra, janë të gjitha produktet të cilat në mënyrë të përditshme konsumatorët shqiptarë i përdorin. Gjithashtu, kemi dhe një kategori të detergjentëve apo atyre produkteve të higjienës, të cilat janë në shportën e përditshme të shqiptarëve.
Nga ana tjetër, sot nuk lançojmë vetëm këtë nismë, lançojmë një nismë tjetër, e cila gjithashtu ka lindur në bazë të bisedave që ne kemi bërë me tregtarët, por jo vetëm me tregtarët, punëtorët e konsumatorëve, por edhe me ata tregtarë që janë importues, prodhues apo pjesë e zinxhirit të vlerës.
Ne nga sot lançojmë nismën “Kurse”, e cila paraqet një numër produktesh që do të jenë me çmim të fiksuar deri më 12 janar të këtij viti. Janë gjithsej 212 produkte të cilat do të kenë çmimin e fiksuar, pra për të cilat çmimet nuk do të ndryshojnë. Gjithmonë në të gjitha kategoritë e produkteve, në pesë rrjetet e supermarketeve, dhe janë angazhuar pesë supermarkete dhe 22 furnitorë që këto produkte t’i shesin me marzhe fitimi minimale.
Do ta shihni vetë në paraqitjen e platformës se si janë çmimet, se si ato ndryshojnë, ku mesatarisht të gjitha çmimet bien nga çmimet që kanë sot deri më 12 janar me 20-22%, ndërkohë që ka produkte që bien edhe me 40% apo produkte që bien me 10%”, tha Ibrahimaj.
Kryeministri Edi Rama tha se qeveria nuk do të vendosë çmime tavan për produktet, pasi në ekonominë e tregut ato përcaktohen nga konkurrenca e lirë. Sipas tij, marrëveshja me supermarketet është arritur përmes mirëkuptimit, me synimin për të lehtësuar shpenzimet e konsumatorëve në një periudhë të rritjes së kostove.
“Ka shpeshherë thirrje ndaj nesh që të vendosim çmime. Këtë e kemi të pamundur ta bëjmë sepse kemi bërë një zgjedhje të gjithë bashkë si popull në vitin 1990, kur jemi ndarë nga sistemi që i vendoste vetë çmimet dhe kemi zgjedhur një sistem ku çmimet i vendos konkurrenca e lirë. Mirëpo nga ana tjetër pikërisht tek konkurrenca e lirë dhe njëkohësisht tek konkurrenca e ndershme qëndron edhe baza e kësaj nisme të përbashkët me këto subjekte.
Besoj që ky do të jetë një lehtësim për konsumatorët. Besoj që do të na duhet punë dhe këtu do të doja edhe ndihmën e subjekteve për ta promovuar këtë nisëm. Këtu ka super oferta nga të gjitha anët, kështu që disa nga ato tabelat e super ofertave mund t’ia lini pasqyrës së çmimeve për të bërë një çikë reklame edhe për pasqyrën e çmimeve në mënyrë që njerëzit ta dinë, ta kuptojnë, të marrin informacion dhe ndërkohë nuk e di se si mund të bashkëpunojmë që dhe këto ekranet të jenë prezente në, të paktën në pikat kryesore ku njerëzit mund të kërkojnë vetë për të parë se ku është produkti i tyre i dëshiruar me çmimin më të arsyeshëm”, tha Rama.
Rama njoftoi se synimi është që deri në fund të vitit në platformë të përfshihen 1 mijë artikuj, ndërsa pjesë e nismës pritet të bëhen edhe marketet më të vogla dhe dyqanet e shitjes me pakicë. Kryeministri paralajmëroi gjithashtu gjoba për rastet kur konstatohen abuzime me çmimet.
“Ky është fillimi i një procesi ku ne duam të përfshijmë gjithnjë e më shumë subjekte, duke pasur parasysh këtu edhe subjektet më të vogla, edhe pikat e shitjes të pakicës, të cilat janë pika ku siç e tha ministrja, shpeshherë ndodh që çmimet lëvizin në mënyrë të paligjshme dhe për këtë arsye ligji parashikon edhe gjobë në rast se ato çmime janë spekulim, por përsëri përpjekja jonë, thirrja jonë do të jetë në mënyrë të vazhdueshme mirëkuptimi dhe gjithëpërfshirja në këtë nisëm.
Nga ana tjetër, sot janë mbi 200 artikuj që janë pjesë e kësaj pasqyre. Synimi është që deri në fund të vitit ato të jenë 1.000 dhe kështu të gjithë pa përjashtim të kenë një pamje shumë të qartë të situatës së çmimeve në mënyrë të përditshme. Subjektet nga ana e tyre përditësojnë çmimet në pasqyrë dhe qytetarët nga ana e tyre njihen në mënyrë konstante në kohë reale se në cilin nivel janë çmimet dhe si variojnë ato nga një subjekt tek tjetri brenda marzhit të diskrecionit që çdo subjekt ka në kushtet e ekonomisë së tregut”, vijoi Rama.
Përmes platformës, supermarketet do të përditësojnë çmimet e produkteve, ndërsa qytetarët do të mund të shohin se ku shiten më lirë dhe të krahasojnë kostot përpara se të bëjnë blerjet.
Të dhënat kryesore
Produkte në platformë 238
Kategori produktesh 13
Pika shitjeje 155
Rrjete supermarketesh 5
Furnitorë të angazhuar 22
Produkte me çmime fikse 212


