Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e SPAK-ut, e shoqëruar nga avokatja e saj. Karçanaj ka qëndruar për rreth 3 orë e 20 minuta në ambientet e SPAK-ut, ku është marrë në pyetje nga hetuesit e posaçëm në lidhje me dosjen e AKSHI-t.
Pas daljes nga institucioni, ajo ka refuzuar të prononcohet për mediat. Mirlinda Karçanaj po hetohet në kuadër të kësaj çështjeje, ndërsa GJKKO ka caktuar ndaj saj masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur”. Në këtë dosje janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët po hetohen për çështjen.
Më herët, ajo ka qenë nën masën e “arrestit në shtëpi”. Megjithatë, Gjykata e Lartë vendosi lehtësimin e masës së sigurisë, duke e lënë të lirë me detyrimin për t’u paraqitur rregullisht pranë organit hetues.
Sipas hetimeve të SPAK, më 16 dhjetor 2025 u lëshuan tetë masa sigurie ndaj Karçanajt dhe disa zyrtarëve të tjerë të AKSHI-t, të cilët akuzohen për shkelje dhe abuzime me procedurat e tenderave publikë.
Ndërkohë, Karçanaj dha dorëheqjen nga drejtimi i AKSHI-t në një moment kritik për institucionin, ndërsa hetimet për korrupsion dhe shpërdorim fondesh kanë përfshirë edhe emra të njohur të biznesit, si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Një hetim i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, i zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, zbuloi një skemë të dyshuar kriminale të manipulimit të tenderave publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, përmes presionit, dhunës dhe heqjes së paligjshme të lirisë.
