Operacioni ndërkombëtar i INTERPOL-it në Maqedoni çon në sekuestrimin e 27 armëve dhe 10 mjeteve eksplozive

Autoritetet në Maqedoni kanë zhvilluar një operacion kundër trafikimit të paligjshëm të armëve, në kuadër të aksionit ndërkombëtar „TRIGGER X“, të koordinuar nga INTERPOL-i. Gjatë këtij aksioni u sekuestruan 27 armë, 604 copë municion dhe 10 mjete mino-eksplozive.

Të lidhura

None found

Operacioni u zhvillua nga 22 qershori deri më 5 korrik 2026, në bashkëpunim mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Doganave. Synimi ishte goditja e tregtisë së paligjshme të armëve dhe parandalimi i kriminalitetit ndërkufitar.

Gjatë veprimeve policore u realizuan 35 bastisje, ndërsa kontrollet përfshinë 548 persona dhe 382 automjete. Për armët dhe municionin e sekuestruar do të vijojnë procedurat penale. Ndërkohë, tri pushkë gjuetie, një pushkë pneumatike dhe 128 fishekë gjuetie do t’i nënshtrohen procedurës administrative.

Kontrollet në pikat kufitare „Tabanoc“ dhe „Mexhitli“ përfunduan me ndalimin e dy personave. Për më tepër, gjatë fazës paraoperacionale u gjetën dhe u sekuestruan pistoleta, fishekë dhe tri granata dore.

Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson se operacione të këtij lloji ndihmojnë në rritjen e bashkëpunimit policor ndërkombëtar dhe në frenimin e qarkullimit të paligjshëm të armëve, municionit dhe mjeteve eksplozive.


Shtuar më 12.10.2026 14:19

Quantcast