Sokol Hoxha, 51 vjeçari nga Patosi i Fierit që është dënuar në vitin 2000 për vrasjen e dy vëllezërve në Fier dhe me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e një vajze shqiptare në Belgjikë, do të lirohet menjëherë nga qelia.
Gjashtë muaj pasi u ekstradua me bujë nga Amerika dhe më shumë se 25 vite nga dënimi në mungesë për krimet që ka bërë, Gjykata e Fierit ka urdhëruar Prokurorinë dhe Drejtorinë e Burgjeve që të lirojë Sokol Hoxhën.
Vendimi është dhënë këtë të hënë, më 12 tetor 2026, nga gjyqtarja Aurora Tusha, e cila pranoi kërkesën e Hoxhës dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale, nëse ai nuk mbahet në burg për ndonjë shkak tjetër ligjor.
U konstatua se ka ndodhur parashkrimi i ekzekutimit të dënimit penal prej 25 vitesh burgim, të dhënë ndaj tij me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, më 19 maj 2000, dhe të lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Vlorë më 21 nëntor të po atij viti.
Gjatë seancës gjyqësore, avokatët Toto Avdiaj dhe Rozeta Plaku kërkuan pranimin e kërkesës, duke argumentuar se kishte kaluar afati ligjor për ekzekutimin e dënimit. Edhe Prokuroria, e përfaqësuar nga Malbora Dine, kërkoi pranimin e kërkesës, me argumentin se kishte kaluar afati 20-vjeçar i parashkrimit dhe se ekzekutimi i dënimit nuk ishte bërë i mundur brenda këtij afati.
Sipas Policisë së Shtetit, Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier, është dënuar në Shqipëri me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj, ngjarje e ndodhur më 30 mars 1997 në Patos. Dënimi u dha në vitet 2000.
Ndërkohë, në vitin 2010, Gjykata e Brukselit e dënoi me burgim të përjetshëm për një tjetër krim të rëndë. Ai u shpall fajtor për vrasjen me armë zjarri të një shtetaseje shqiptare në Bruksel, në gusht të vitit 1997, e cila, sipas autoriteteve, ishte shfrytëzuar më parë prej tij për prostitucion.
Arrestimi në SHBA pas gati tre dekadash arrati
Sokol Hoxha u arrestua në Shtetet e Bashkuara më 5 maj 2026, në shtetin e Ohajos, pas një operacioni të koordinuar mes agjencive federale amerikane dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ai u lokalizua nga Ekipi për Kapjen e të Arratisurve i Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së, në bashkëpunim me agjentët e emigracionit dhe strukturat e INTERPOL-it.
Hetimet zbuluan se pas largimit nga Shqipëria ai ishte arratisur fillimisht në Greqi, më pas në Belgjikë dhe, duke përdorur identitete të rreme, kishte arritur të vendosej edhe në Shtetet e Bashkuara, ku kishte siguruar status rezidenti duke fshehur identitetin e tij të vërtetë. Lokalizimi dhe identifikimi i tij ishte rezultat i një hetimi shumëvjeçar ndërkombëtar, i cili i dha fund arratisë së një prej të shumëkërkuarve më të vjetër nga drejtësia shqiptare.
51-vjeçari shqiptar ishte subjekt i një “Red Notice” të INTERPOL-it, të lëshuar nga autoritetet belge për dënimin në mungesë lidhur me vrasjen e bashkëshortes së tij 19-vjeçare në Bruksel, në gusht të vitit 1997. Paralelisht, autoritetet shqiptare e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos, krim i ndodhur në mars të po atij viti. Për këto ngjarje, Hoxha ishte dënuar në mungesë me 25 vite burg nga drejtësia shqiptare.
Pas krimeve të kryera në Shqipëri, Hoxha u arratis fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Belgjikë, ku dyshohet se u përfshi në rrjete prostitucioni. Pikërisht aty ndodhi edhe vrasja e Brunilda Dervishit, një ngjarje që sipas hetimeve lidhej me konfliktet mes tyre dhe kundërshtimin e së resë për t’u shfrytëzuar nga Hoxha. Gruaja u ekzekutua në një lokal në Bruksel, ndërsa autori u zhduk menjëherë pas krimit.
Hetimet shumëvjeçare zbuluan se i shumëkërkuari kishte ndërtuar një identitet të ri për t’i shpëtuar drejtësisë. Fillimisht ai dyshohet se përdori dokumente të falsifikuara kosovare për të përfituar leje qëndrimi në Britaninë e Madhe gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Më pas, për t’iu shmangur identifikimit, u transferua në SHBA, ku arriti të siguronte status rezidenti të përhershëm duke fshehur identitetin e tij real.
Sipas asaj që autoritetet amerikane bënë me dije më herët, hetimi për lokalizimin dhe identifikimin e Hoxhës zgjati gjashtë vite dhe u drejtua nga INTERPOL Ëashington, në koordinim me një sërë agjencish ligjzbatuese në SHBA, Belgjikë, Britani dhe Shqipëri. Hetuesit arritën të konfirmonin identitetin e tij përmes gjurmëve të gishtërinjve, fotografive të vjetra dhe dokumenteve të siguruara nga partnerët ndërkombëtarë.
Në vitin 2019, Ministria e Drejtësisë në Shqipëri kishte depozituar zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e tij nga Amerika, ndërsa hetimet u intensifikuan në vitet pasuese. Në një moment, autoritetet britanike ndaluan gabimisht një person tjetër me të njëjtin emër, por pas verifikimeve të INTERPOL-it rezultoi se nuk bëhej fjalë për të shumëkërkuarin.
