Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit ministrin e Jashtëm të Shtetit të Izraelit, Gideon Sa’ar, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Takimi u zhvillua në një vit të veçantë për marrëdhëniet shqiptaro-izraelite, që shënon 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Lidhjet historike mes shqiptarëve dhe hebrenjve, të mishëruara në traditën shqiptare të Besës dhe në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit, janë pjesë e trashëgimisë dhe kujtesës historike shqiptare dhe një dëshmi e lidhjeve njerëzore që kapërcejnë brezat.Miqësia mes dy popujve, lidhjet historike dhe respekti i ndërsjellë përbëjnë një bazë të rëndësishme për vijimin e dialogut dhe forcimin e partneritetit mes dy vendeve.
Në këtë kuadër, vëmendje iu kushtua zhvillimit të bashkëpunimit parlamentar, përmes shkëmbimit të përvojave dhe intensifikimit të kontakteve mes dy parlamenteve, si një instrument i rëndësishëm për nxitjen e dialogut politik dhe afrimin mes dy vendeve.
Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, sigurisë kibernetike, ekonomisë, teknologjisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe turizmit ishte gjithashtu pjesë e diskutimeve. Marrëveshja për bashkëpunim të përgjithshëm mes dy vendeve përfaqëson një kuadër të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe identifikimin e mundësive konkrete të bashkëpunimit.
Biseda u ndal edhe te zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe rëndësia e përpjekjeve diplomatike për paqe, dialog dhe siguri. Në këtë kontekst, u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe e angazhimit për të kontribuar në një të ardhme më të sigurt për rajonin.
Takimi rikonfirmoi rëndësinë që Shqipëria i kushton marrëdhënieve me Izraelin dhe vullnetin për të vijuar dialogun politik e parlamentar, duke zgjeruar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët dhe duke ruajtur miqësinë mes dy popujve.


