Deputeti socialist Vullnet Sinaj shpjegoi në News24 votën e tij “pro” reformës territoriale, pavarësisht qëndrimit kundër saj.
Sinaj shpjegon se ndaj tij nuk u bë asnjë lloj presioni, siç u përfol, nga kryeministri Rama. Deputeti shton se pati biseda konstruktive për reformën me Ramën, Çuçin dhe Ballën. Në fund ai votoi si shumica e grupit parlamentar, pasi ishte vendim politik.
Sinaj tha se Partia Socialiste vjen mbi të gjitha dhe shton se sipas tij nuk do të ketë grupe brenda grupit të PS.
“Dua të sqaroj se në grupin parlamentar të PS u bën dy votime. E para kush është pro reformës dhe kush kundër, unë votova kundër bashkë me kolegun BRaçe. Pas këtij u bë një votim i dytë, u hodh në votim që ndarjen territoriale do e votojmë pro me vendim politik të grupit të PS. Iu binda vendimit të grupit parlamentar të PS. Siç mund ti bindet një vendimi të tillë edhe një deputet i opozitës.
Kur mazhoranca kanë një mendim kundër me mendimin tuaj duhet ti bindesh vendimit të shumicës. Iu binda jo vetëm si disiplinë por edhe në mendimet e mia. Qëndrimi im kundër ishte një pikëpamje por asnjëherë një njeri nuk e vërteton, duhet kohë. Grupi parlamentar dhe komisioni i posaçëm kishin mendimin e tyre. Bashkimi do ishte në të mirë të qytetarëve rritjes së fuqizimit ekonomik të bashkive. Unë u bashkova me grupin parlamentar PS. Nuk ka patur në mënyrë absolute presion as ultimatum.
Nuk më bëhet presion as personalisht dhe as ndonjë fushë. Kam dëgjuar në studio se e kam lidhur punën me biznesin. Nuk kam asnjë frikë sepse biznesi im është nga më të rregulltit në këtë vend. Nuk kisha pse të kisha frikë dhe nuk kam patur asnjë presion. Kam patur vetëm një bisedë konstruktive për të mirat e reformës me kryeministrin, drejtuesin e qarkut dhe kreun e grupit parlamentar. Ishte një bisedë mes nesh. Në fund të kësaj bisede ishim të një mendimi që duhej votuar reforma territoriale sepse benefitet do jenë më mira se ato në kushtet e sotme. Sepse reforma e parshme kishte sjellë rezultatet e saj. Nëse nuk do kisha qenë deputet i PS apo i pavarur edhe mund ta kisha votuar kundër asaj reforme.”- tha Sinaj.














